Page 156 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 156
Neni 118
Akti i emetimit të aksioneve
1. Akti i emetimit të aksioneve hartohet në çastin e emetimit fillestar të aksioneve
dhe përmban të dhënat e përcaktuara në nenin 36 të ligjit nr. 9723, datë 3.5.2007 "Për
Qendrën Kombëtare të Regjistrimit".
2. Në rastin e ofertës private apo publike të aksioneve, akti i emetimit të aksioneve
duhet të ndjekë, gjithashtu, procedurat e përcaktuara në ligjin për titujt.
3. Shoqëria lëshon certifikatën e aksionit me shpenzimet e aksionarit që e kërkon
atë. Vendimi për lëshimin e certifikatës merret nga themeluesit apo nga asambleja.
Komente:
Në periudhën 2011-2012, gjatë procesit të diskutimeve për shqyrtimin e
amendamenteve ndaj ligjit për shoqëritë tregtare, disa palë interesi sugjeruan një ndryshim në
nenin 118, pika 2. Disa profesionistë në fushën juridike arsyetuan se sistemi i lëshimit të
certifikatave të aksioneve aksionarëve qe i pamundur, sidomos, sepse ligji thotë se certifikatën
duhet ta lëshojë Asambleja e Përgjithshme ose themeluesit. U sugjerua që neni 118, pika 3, të
hiqej, meqenëse neni 119 ka masa të mjaftueshme mbrojtëse për aksionarët dhe Regjistri
Tregtar (përmes administratorëve) ka detyrimin të mbajë regjistrin e aksioneve të shoqërisë
dhe të japë informacion të plotë për aksionarët dhe çdo person tjetër që e kërkon (neni 119,
pika 3). Mirëpo, pas shqyrtimit me kujdes nga palët e interesit, ky propozim nuk u pranua.
Neni 119
Regjistrimi i aksioneve
1. Shoqëritë aksionare mbajnë një regjistër të posaçëm, ku regjistrohen të dhënat e
zotëruesve të aksioneve të shoqërisë, si: emri e mbiemri i aksionarit, apo emri i
regjistruar, nëse është person juridik, vlera nominale e aksionit, adresa e banimit apo
zyra qendrore e aksionarit dhe data e kryerjes së regjistrimit.
2. Personat e regjistruar sipas pikës 1 të këtij neni, prezumohen si aksionarë të
shoqërisë me të drejta të plota si për marrëdhëniet me shoqërinë, ashtu dhe ndaj të
tretëve.
3. Administratorët janë përgjegjës për mbajtjen e regjistrit të aksioneve të
shoqërisë e detyrohen të lejojnë aksesin në informacionet e regjistrit ndaj çdo aksionari
apo çdo personi tjetër që e kërkon. Informacioni i regjistrit të aksioneve duhet të
publikohet në faqen e shoqërisë në internet. Shoqëria mund të lejojë regjistrimin on-line
të të dhënave, që duhen regjistruar sipas pikës 1 të këtij neni.
4. Dispozitat e seksioneve IV, VII e VIII të kreut III të pjesës së posaçme të Kodit
Penal zbatohen për parregullsitë e emetimit të aksioneve, si dhe për parregullsitë e
kryerjes së regjistrimeve e të mbajtjes së regjistrit të aksioneve.
155

