Page 40 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 40
kanë përparësi këto të fundit. Ankesat përkatëse pranë gjykatave trajtohen nga pika 15 i
VKM-së.
7. E fundit për nga radha, por jo për nga rëndësia, nenet 24 dhe 25 të ligjit për regjistrimin
e biznesit, parashikojnë mundësinë e rezervimit të emrit pranë QKB-së dhe transferimit të
emrit të rezervuar të tretëve.
Neni 5
Transferimi i emrave dhe i përgjegjësisë
1. Personi, të cilit i transferohet veprimtaria e një tregtari ose e një shoqërie
tregtare, mund të vijojë të përdorë emrin e regjistruar apo shenjat e tjera dalluese të
veprimtarisë, me ose pa një shtesë, që tregon ndërrimin e pronësisë, nëse titullari i
mëparshëm i veprimtarisë apo trashëgimtarët e tij e miratojnë këtë përdorim.
2. Nëse emri i regjistruar apo shenjat e tjera dalluese të veprimtarisë vijojnë të
përdoren, titullari i ri i veprimtarisë trashëgon të gjitha detyrimet tregtare të titullarit të
mëparshëm. Marrëveshjet, që përcaktojnë ndryshe nga sa më sipër, nuk mund t'i
kundrejtohen palëve të treta, edhe nëse janë bërë publike, me përjashtim të rastit kur
tregtari ose shoqëria provon se i treti ka pasur dijeni për marrëveshjen, apo në bazë të
rrethanave të qarta nuk mund të mos kishte pasur dijeni për të.
Komente:
Ligji për shoqëritë tregtare sqaron dhe kufizon përdorimin e “emërtimeve tregtare dhe
shenjave të tjera dalluese” me të cilat, zakonisht, lidhet “emri i mirë” i biznesit të blerë. Kur
bëhet ndryshimi i pronësisë, emri i mirë ndjek parametrat e aktivitetit tregtar. Kjo dispozitë
buron fillimisht nga paragrafi 25 i Kodit Tregtar gjerman. Pika 2 është pjesë e parimit për
mbrojtjen e palëve të treta, që respektohet plotësisht nga ligji për shoqëritë tregtare. Në pjesën
për përfaqësimin ky parim do të analizohet më nga afër. Këtu, kuptimi i tij është se të tretët
mund të kenë besim në vijimësinë nga ana e pasardhësit të përgjegjësisë për detyrimet e
mëparshme, meqenëse (ende) mund të mos jenë në dijeni të faktit se, ndërsa vazhdon me të
njëjtin emërtim tregtar, biznesi i tregtarit ose i shoqërisë është shitur.
TITULLI II
THEMELIMI I SHOQËRISË TREGTARE
Komente:
1. Ligji për regjistrimin e biznesit dhe ligji për shoqëritë tregtare i kanë thjeshtuar në
mënyrë të konsiderueshme procedurat e themelimit të shoqërive. Ndërsa në ligjin e
mëparshëm nr.7632 “Për dispozitat që rregullojnë pjesën e parë të Kodit Tregtar”
parashikohej përfshirja e noterit dhe, për rrjedhojë, themelimi i detyrueshëm hap pas hapi
39

