Page 71 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 71

a)       ka  abuzuar  me  formën  e  shoqërisë  tregtare  për  arritjen  e  qëllimeve  të
                     paligjshme (p.sh.: krijimi i shoqërive të ashtuquajtura “fantazmë”, etj.);
                 b)       ka  trajtuar  pasuritë  e  shoqërisë  tregtare  si  të  ishin  pasuritë  e  tij/të  saj
                     personale  (p.sh.:  regjistrimi  i  pasurive  të  tij/të  saj  në  emër  të  shoqërisë,  për  të
                     përfituar nga trajtime ligjore më favorizuese, si: zbritja e shpenzimeve për qëllime
                     tatimore etj.);
                 c)       në çastin, kur ka marrë dijeni apo duhet të kishte marrë dijeni për gjendjen
                     e paaftësisë paguese të shoqërisë, nuk mori masat e nevojshme për të siguruar që,
                     në  varësi  të  llojit  të  veprimtarisë  së  ushtruar,  shoqëria  të  kishte  kapitale  të
                     mjaftueshme  për  të  përmbushur detyrimet  e  marra  përsipër  ndaj  palëve  të  treta
                     (p.sh.: nuk mori masa për financimin e shoqërisë, apo nga ana tjetër, për mbylljen
                     e  saj,  duke  lejuar  kështu  që  borxhet  ndaj  të  tretëve  të  rriten  e  të  bëhen  të
                     pashlyeshme).

            2.    Neni 16 parashikon një nga grupet më të rëndësishme të normave  që, fillimisht, janë
            “krijuar”  nga  jurisprudenca  në  Evropë  dhe  SHBA,  në  kushtet  e  shkeljes  së  detyrimit  të
            besnikërisë. E kemi fjalën për “parimin e shpimit të perdes së korporatës” (apo heqja e vellos)
            për  shkak  të  abuzimit  ndaj  formës  juridike  që  është  kryer  nga  “ortakët  ose  aksionarët  e
            shoqërisë, administratorët ose anëtarët e këshillit të administrimit”. Në shumë raste, abuzimi
            kryhet  nga  administrimi  i  shoqërisë  tregtare  kur  dominohet  nga  ortaku  ose  aksionari  që
            kontrollon shumicën e kapitalit, i cili është në gjendje ta dominojë administrimin. Ajo që i
            bashkon  këto  raste  është  se  administrimi  e  përdor  përgjegjësinë  e  kufizuar  për  qëllime
            mashtrimi.  Ekzistojnë  situata  të  caktuara  në  të  cilat  një  palë  e  tretë  mund  të  gjendet  e
            pafavorizuar nga përdorimi i formës së shoqërisë për motive të këqija.
                 Një shembull nga Mbretëria e Bashkuar për këtë dhënie të përgjegjësisë vetjake është
                                          96
            çështja gjyqësore “Jones kundër Lipman” , në të cilën i padituri ra dakord t’i shesë një shtëpi
            paditësit, por kjo ndodhi përpara nënshkrimit të kontratës dhe përpara rritjes së çmimeve. Në
            përpjekje për t’i bërë bisht përgjegjësisë së tij, i padituri krijoi një shoqëri me përgjegjësi të
            kufizuar dhe ia shiti shtëpinë kësaj shoqërie. Më tej, i padituri argumentoi se shoqëria nuk
            ishte palë në kontratën midis paditësit dhe të paditurit, kështu që nuk mund ta detyronin t’ia
            kalonte  pronën  paditësit.  Gjykata  vendosi  se  kjo  mënyrë  veprimi  ishte  një  përdorim  i
            shoqërisë tregtare për qëllime të paligjshme dhe i kërkoi palës së paditur të mbajë përgjegjësi
            ligjore.
                 Po kështu, Gjykata Federale Gjermane e ka përdorur instrumentin ligjor të “shpimit të
            perdes  së  korporatës”  në  ato  raste  kur  forma  e  shoqërisë  është  përdorur  për  objektiva  të
            paligjshme: për shembull, kur u ngritën piramida shoqërish tregtare me pronar të vetëm dhe
            vazhdimisht u transformuan për objektiva të paligjshme, për shembull, për t’i kaluar humbjet
            te të tjerët dhe për të krijuar imazhin e “aftësisë paguese”. Përgjegjësi ligjore të drejtpërdrejtë
            mund të mbajnë aksionarët dhe administratorët përgjegjës për krijimin e shoqërive të tilla. Një

            96  Çështja gjyqësore “Jones kundër Lipman” [1962] 1 All ER 442.


                                                                              70
   66   67   68   69   70   71   72   73   74   75   76