Page 72 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 72
tjetër grup rastesh ka të bëjë me pasuritë e shoqërisë që administratorët i kanë përdorur si
pasuri të tyre personale; por ka edhe raste të kapitalizimit të pamjaftueshëm në mënyrë të
skajshme (për qëllime të paligjshme).
3. Siç del edhe nga këta shembuj, standardet e “shpimit të perdes” janë përpiluar nga
jurisprudenca e sistemeve të ndryshme ligjore (SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani etj.)
për të mbushur “boshllëkun” që nuk trajtohet nga dispozitat e posaçme për përgjegjësinë. Kjo
jurisprudencë pajtohet se personaliteti juridik dhe përgjegjësia e kufizuar nuk duhen
mënjanuar lehtësisht. Në rastet kur dispozitat ekzistuese mund ta parashikojnë një veprim të
tillë abuziv, klauzola e përgjithshme e “abuzimit të formës ligjore” nuk është e nevojshme.
Ligji për shoqëritë tregtare përmban një numër të konsiderueshëm dispozitash për detyrimet
dhe përgjegjësitë e administratorëve dhe ortakëve/aksionarëve (të mëdhenj) kundrejt
ortakëve/aksionarëve (të tjerë) dhe kreditorëve. Ligji i mbron ortakët/aksionarët dhe kreditorët
përmes detyrimit të besnikërisë të pronarëve dhe administratorëve (neni 14): përmes detyrimit
të besnikërisë dhe standardeve të përgjegjësisë të neneve 98 dhe 163, sidomos, ndaj ushtrimit
të aktivitetit pavarësisht procedurës së pambyllur të paaftësisë paguese (pikat 4 të neneve 98
dhe 163); përmes padive për shfuqizimin e vendimeve kur ka pasur shkelje të rëndë të ligjit
ose Statutit (nenet 91 dhe 151); dhe, e fundit, për nga radha, por sigurisht, jo për nga rëndësia,
përmes dispozitave të ligjit të ri për grupet në nenet nga 206 deri në 212, që kanë si synim
përgjegjësinë e mëmave kundrejt shoqërive të kontrolluara dhe aksionarëve dhe kreditorëve të
tyre.
4. Legjislacioni civil dhe tregtar shqiptar ka, madje, edhe një rregull bazë kundër
“kapitalizimit të pamjaftueshëm”. Kjo rregull haset në fjalinë e dytë të nenit 1076 të Kodit
Civil për shoqëritë e thjeshta: kontributi duhet të jetë “sa është e nevojshme për arritjen e
qëllimit të shoqërisë”. Ne mendojmë se pjesa e fundit e fjalisë: “përveç kur në kontratë është
parashikuar ndryshe”, ka të bëjë vetëm me pjesët e kontributit që mund të mos jenë të
barabarta, dhe jo me mjaftueshmërinë e vlerës, sepse, përndryshe, kjo pjesë e dispozitës nuk
do të kishte kuptim. Me fjalë të tjera, vetëm rregulla e kontributit me kapital të mjaftueshëm
për vënien në punë të shoqërisë mund të jetë e detyrueshme. Për shkak të funksionit bazë që
normat e Kodit Civil për shoqëritë e thjeshta kanë lidhur me ligjin për shoqëritë tregtare, kjo
rregull bazë zbatohet edhe për shoqëritë objekt i ligjit për shoqëritë tregtare. Kjo rregull
thekson detyrimin e besnikërisë të themeluesve, por edhe të ortakëve dhe anëtarëve
administrues të ardhshëm dhe të administratorëve për të mos e nxjerrë shoqërinë në treg,
nëse nuk ka burime financiare të mjaftueshme për të ushtruar aktivitetin e caktuar dhe për të
paguar kreditorët. Megjithatë, në zbatimin e kësaj rregulle bazë gjithmonë duhet mbajtur
parasysh modeli i ruajtjes së kapitalit minimal të shoqërisë tregtare dhe situata faktike në të
97
cilën ndodhet shoqëria tregtare. Kërkesa për kapital të mjaftueshëm nuk ka lidhje me
97 Bachner, Schuster dhe Winner, “Critique of the Legal Capital Concept” (“Kritikë e konceptit të kapitalit ligjor”) tek
“The New Albanian Company Law” (Ligji i ri shqiptar për shoqëritë tregtare), 2009, f. 63.
71

