Page 58 - Nji jete ne mes kosoves
P. 58

55
“Nëna ka qenë një punëtore e jashtëzakonshme, një grua me moral të fortë dhe e kalitur për të përballuar të gjitha sfidat që na përcillnin neve si familje”, thotë njëri nga djemtë e saj Qerim Bajraktari. Ajo përveç punëve të shtëpisë, të cilat ishin të shumta, ka punuar edhe në ara dhe livadhe, së bashku me të shoqin Musliun dhe djemtë e saj Metën, Beqirin, Qerimin dhe Lulin.
“Pas punës së lodhshme në fushë, dhe pasi darkonim, të gjithë shkonim për të fjetur në dhoma, veç nënës e cila vazhdonte deri natën vonë për të bërë punë të tjera për ditën e nesërme. Edhe në këtë sezonë kur punët ishin të shumta në mbledhjen e bereqetit, ajo bënte edhe punët e zejes së saj për të ngritur ekonominë familjare. Me paratë që fitonte ajo, arritëm të blejmë njëherë 25 dele, e më vonë edhe 15 të tjera”, thotë Qerimi, duke folur për Mejremen si nënë dhe si punëtore e zellshme.
“Shkuarjen e Metës në mërgim me tërë familjen e tij të ngushtë, e përjetoi tepër rëndë. Në këtë kohë (1969) ajo e ndjente veten të molisur. Kjo lodhje ishte si pasojë e punëve të rënda që kishte kryer për një periudhë të gjatë dhe natyrisht edhe vitet që mbante mbi supe. Kishte përjetuar dhunën serbe dhe malazeze dhe format tjera të shtypjes. Të gjitha këtyre u kishte qëndruar në mënyrë stoike kur ajo kishte një moshë më të re, por shkuarja e Metës me fëmijë dhe grua në mërgim, e kishte përplasur përtokë. Nga kjo ditë e deri në vdekje më 11 dhjetor 1973, nëna kishte marrë teposhtzën. Përditë përmendte Metën, fëmijët e tij: Harry-n, Nurijen, Litafeten, Hatemen dhe renë, Zizen. Kishte ndjenjën se ata s’ do të ktheheshin më në Vranoc. Me këtë ndjenjë ajo vdiq”, thotë Qerimi.
  






























































































   56   57   58   59   60