Page 128 - Nji jete ne mes kosoves
P. 128

125
Teksa familja Bajraktari ishte vendosur në banesën e saj, aty kishte shkuar dom Prenk Ndrevashaj për rregullimin e dokumentacionit, pasi i kishte ardhur garancia nga Musli Mulosmanaj.
Në qytezën Atina kishte shumë shqiptarë që prisnin nisjen për Amerikë. Ata kryesisht ishin nga Mali i Zi, fare pak nga Kosova, ndërsa asnjë nga Shqipëria.
Derisa në Kosovë në këtë kohë (vitet e 70-ta) kishte filluar ngjallja e punësimit, në anën tjetër, politika e Malit të Zi dhe Maqedonisë, përmjet dhunës ekonomike, papunësisë dhe formave të tjera të shtypjes kishte detyruar shqiptarët të migronin nga trojet e tyre. Prandaj,si në këtë qytezë, ashtu edhe në kampe refugjatësh, numrin më të madh e përbënin shqiptarët e Malit të Zi, sidomos nga Malësia e Madhe. Nëpër këto kampe kishte kaluar edhe një pjesë e shqiptarëve të emigracionit politik nga Shqipëria, të cilët më parë kishin qëndruar në Jugosllavi.
“Kur shkova në Itali u sëmura. 12 ditë kam ndejtur e shtrirë në spital. Sëmundja mu shfaq nga mërzia. Edhepse u shtriva, për aq ditë, mora edhe barëra, nuk më ndihmuan. Mërzinë s’po mundte kush ta heqë as mjekët më të mirë. Sot e asaj dite nuk kam mundur ta mposhtë tërësisht këtë mërzi. I vetmi që ma lehtësonte këtë ka qenë Harry. Atina për mua ka qenë vendi me klimë më të bukur që kam parë, kishte shumë pemë: mollë, rrush, shalqi, gështeja, perime, gjithandej drunj, mal, fushë, ujë dhe mbi të gjitha qetësinë”, thotë Ziza.
Jeta e shqiptarëve në Atina ishte e qetë dhe në pritje. Familja Bajraktari, një muaj pas, gjen një banesë tjetër në afërsi të asaj ku ishte vendosur Ali Muki. Kjo banesë ishte më e madhe dhe kishte edhe një kuzhinë gjithashtu të përshtatshme për gatim. Në atë shtëpi nuk jetonte askush- pronarët kishin migruar për Amerikë dhe ato lëshoheshin me qira. Jeta në përgjithësi ishte e lirë, kurse ambienti shumë i përshtatshëm. Harry thotë se aty jetohej mirë. Musli Mulosmanaj për çdo muaj na dërgonte të holla. Derisa ishim në Itali, kishim një borxh prej 3000 dollarësh, të cilat, me shkuarjen në Amerikë, ia kthyem Mulosmanajt.
  Shqiptarët në Atina, në këtë qytezë të bukur italiane, respektonin Metën si një njeri të sinqertë që vuajtja dhe varfëria e kishte ndjekur nga vatra e tij, siç kishte ndjekur me mijëra shqiptarë të tjerë.




























































































   126   127   128   129   130