Page 151 - Nji jete ne mes kosoves
P. 151

148
nga vendi ku banonte (1735 e Dyta Avenue) në Wall Street duhej shfrytëzuar trenin. Deri atje kishte shumë stacione dhe orientim i vetëm i mundshëm ishin numrat dhe shkronjat. Ziza nuk i dinte as njërin as tjetën. Ajo nuk dinte as anglisht që për çdo rast të pyeste dikënd, se ku ishte.
Nga natyra Ziza ishte e zgjuar. Një grua dukagjinase që e kuptonte mirë filozofinë e shenjave dhe simboleve. Mjaftonte të dëgjonte njëherë një gjë dhe të mos e harronte, apo të shihte një shenjë, apo objekt dhe ta mbante mend.
-Ajo udhëtonte me Fatimen, ndërsa ditën e parë e shoqërova edhe unë, thotë Harry.
Deri në Wall Street nga vendi ku banonin, udhëtohej me trenin numër 4, që merrej në 86 rrugë. Treni ka qenë më pak problem. Pengesë paraqiste ndërtesa pesëdhjetë katëshe, ku Ziza herë duhej të punonte në katin e tridhjetë, e herë në at të dyzetin. Numrat ishin ata që përcaktonin katin se ku duhej të dilej. Mandej, veç këtyre, duhej gjetur kartonin e vet me emër dhe mbiemer, në mesin e shume kartonave të punëtorëve të tjerë që ishin të radhitur në një dollap druri. Kartoni duhej të shtypej kur e fillonte punën dhe po ashtu të shtypej kur e përfundonte. Kështu bëhej regjistrimi i nisjes dhe i përfundimit të punës.
Ziza Bajraktari lidhur me këtë deklaron: ”Kur hyra në punë e ndija veten shumë më mirë. Sëmundja e mërzisë që m’u pat shfaqur kur e lëshuam Kosovën, filloi të më tërhiqej. Në fillim shkoja me gruan e Musli Mulosmanajt, Fatimen. Ka qenë e kujdesshme dhe e zonja. Më ndihmonte ta përfundoja punën, derisa e përvetësova atë. Në atë ndërtesë punonin mbi pesëdhjetë punëtore shqiptare. Një javë kam pasur problem sa i përket përcaktimit të kateve, por çështja e shtypjes së kartonit ishte problem i përditshëm. U preokupova me mënyrën se si ta gjeja metodën e përdorimit të tij. Mendova dhe gjeta formën: me pak ngjitës në një qoshe të kartonit veja një shenjë prej letre që ishte pothuajse e pa dukshme për zyrtarët e kompanisë. Meqenëse ata në fund të javës kontrollonin kartonat ngaqë aty shënoheshin ditët dhe orët e punës, të premten në ditët e vikendit e hiqja për ta vendosur po at shenjë të hënën.”
  




























































































   149   150   151   152   153