Page 84 - Nji jete ne mes kosoves
P. 84

81
  AKSIONI I ARMËVE
(Keqtrajtohen Haxhi, Musli dhe Metë Bajraktari)
Pushteti komunist në Kosovë i dominuar nga serbët dhe malazezët- filloi shkatërrimin e ekonomisë së familjeve të mëdha, me veçanti të familjeve nacionaliste. Në këtë kontekst, familjes së Haxhi dhe Musli Bajraktarit, si dhe disa familjeve të tjera në Vranoc, iu konfiskua toka, iu muar bagëtia dhe gjërat më elementare për jetë. Anëtarëve të familjes u mbetën vetëm muret e shtëpisë.
-Varfëria nuk ka derë ose ajo është derë e hekurtë, thoshte Meta, i cili atë e kishte përjetuar në kurrizin e tij për një periudhë të gjatë. Plot 15 vjet këtë familje e kishte gërryer mjerimi ekonomik dhe ndjekja politike. Asnjë ditë e qetë, secila ditë ishte e ngjashme me tjetrën-sepse, për afro dy dekada, nuk ndryshonte asgjë për familjen Bajraktari. Aty kishte varfëri dhe vetëm skamje. Të gjitha këto sfida kjo familje po i përballonte me dinjitet- pa ju përulur regjimit aq të egër pushtues dhe presionit e terrorit të organeve të OZN-së dhe UDB-së.
Musliu dhe Meta për ta përballuar këtë situatë krize shkonin në pazarin e Pejës, Gjakovës dhe ndonjëherë edhe në Prishtinën e largët. Këto rrugë i bënin këmbë, në disa raste pa ngrënë as bukë. Ata, nga viti 1945 e deri në vitin 1960, kishin bërë të pamundurën për të mbijetuar situatën e rëndë ekonomike që ua kishin shkaktuar pushtetarët.
Në qershor të vitit 1991, kur erdha në New York, si editor i gazetës “Illyria” për faqet në gjuhën shqipe, themeluesi dhe botuesi i saj Harry Bajraktari, pasi më informoi në lokalet e redaksisë për qëllimin e nxjerrjes së gazetës- atë natë shkuam në shtëpinë e tij. Aty na priti Metë Bajraktari, një burrë që u kishte mbetur besnik traditave shqiptare dhe në bisedë e sipër me të, pasi i tregova se i përkisja familjes Mjeku të Grabovcit të Epërm dhe fshatit Shipitullë, më tha se rreth vitit 1955 me babain e tij Musliun, në të kthyer nga Prishtina, kishin buajtur në kullën e Hasan Mjekut. Meta më tha se atë rrugë të gjatë nga Vranoci me babain e tij e kishin kaluar këmbë, duke buajtur aty ku kanë gjetur konak.
- Familja jonë në vitet e 50-ta nuk kishte, siç thuhet, pulë para dere. Çdo gjë ishte marrë e konfiskuar nga pushteti, më tha ai.



























































































   82   83   84   85   86