Page 58 - gjuha shqipe 3 per shtyp.pdf
P. 58
Lexojmë
VENDIMI I ELONËS
Sa shumë u mërzit Elona! Në vendin e dhëmbit të qumështit, që i kishte
rënë muaj më parë, kishte dalë një dhëmb tjetër, ai i përhershmi... i bardhë,
i lëmuar, por...
Dhëmbi po rritej e zgjatej i shtrembër... ndryshe nga të tjerët. Ah, kjo
e dëshpëronte shumë Elonën! Edhe prindërit u shqetësuan. Pa humbur
kohë, e çuan te mjekja specialiste për dhëmbët e shtrembër.
Ajo ia kontrolloi me shumë kujdes, i tha të hapte e të mbyllte gojën dhe,
më në fund, u shpreh:
− Po të qe një shtrembërim i vogël do të rregullohej me ca lëvizje të
posaçme të gjuhës, duke e shtyrë vazhdimisht përpara. Por në rastin e
vajzës suaj, kjo është e pamundur. Aparati është i domosdoshëm!
Prindërit panë njëri-tjetrin në sy, dhe i thanë me vendosmëri mjekes të
bënte çfarë ishte e nevojshme...
− Aparat?! – klithi pothuajse e tmerruar Elona. – Ai teli që u vënë
dhëmbëve?...
− Pikërisht ai... – tha mjekja.
− Mbahet për disa muaj derisa dhëmbi të marrë drejtimin e dëshiruar.
Vajzës iu mbushën sytë me lot.
− Përse mërzitesh? – i buzëqeshi mjekja. – Do ta mbash për pak kohë.
58