Page 62 - gjuha shqipe 3 per shtyp.pdf
P. 62
Lexojmë
NJERIU I KUJTIMEVE
Xhani duhet të shpërngulej në një tjetër qytet dhe ishte shumë i trembur.
– Kur të jesh në qytetin e ri, – i kishte thënë shoku i tij i padukshëm Paku,
– do të shkojmë te burri që fshin kujtimet.
– Eh! – thirri ai. – Te kush?
– Te burri që fshin kujtimet. Nuk ke dëshirë? Do ta ndjesh veten fare të ri
dhe të lumtur sa më s’ka. Nuk ta ka ënda?
Kjo ide i mbeti pa përgjigje. Ndonjëherë Paku thoshte gjëra të çuditshme,
s’dihej nga i gjente dhe nga i mësonte disa gjëra.
– Kam dëgjuar se është një burrë që të heq kujtimet. Nëse nuk dëshiron
të mbash brenda kujtimet e këqija, një notë të keqe që ke marrë dikur apo
diçka që të ka pikëlluar, shko tek ai dhe ta heq menjëherë.
– Me çfarë?
– Nuk e di. Duhet të ketë ndonjë palë darë mendimkapëse. Ndoshta ta
rrufit kujtesën.
– Sa e shpifur, unë nuk jam as kafe që të rrufitem.
– Por ti ankohesh pareshtur se nuk do të kesh më këtë,
nuk do të kesh më atë...
– Po atëherë?
– Atëherë, po i harrove të gjitha, më pas do të jetosh më
mirë dhe nuk “do të na bezdisësh më”.
– Do të thotë se nuk do të mbaj më mend asgjë nga ato
që do të bëj tani.
– Saktë.
– Po mua më pëlqen t’i kujtoj disa gjëra të caktuara.
– Cilat?
– Dhomën time, yjet që shikoj nga dritarja, klasën
time...
– Time... time... Po më dukesh si një plakush. Të
mungon llulla dhe bastuni dhe pastaj të mbyt brenga.
Por jeta është e bukur pa shumë brenga. Zbulon të
renë, zbulon të nesërmen, zbulon se dielli lind çdo
ditë, që yjet janë kudo...
62