Page 113 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 113
ky synimi i ligjit të vitit 2008, pavarësisht nga neni 73. Gjatë shqyrtimit të ligjit për shoqëritë
tregtare në periudhën 2011-2012 u propozua një amendament për të qartësuar ligjin dhe për të
shpjeguar qartë se gjatë kalimit të kuotave të pronësisë nuk është nevoja për procesin e
noterizimit. Amendamentet e propozuara tregojnë se pronësia është e sigurt kur kontrata është
e vlefshme dhe përfunduar. Gjithashtu, amendamentet ndjekin kërkesat e paraqitura nga
grupet e interesit si pasojë e problematikave të hasura gjatë procedurave të regjistrimit në
QKB të kontratave të kalimit të kuotave të shoqërive me përgjegjësi të kufizuar.
Amendamentet ndaj nenit 73, pika 2, kanë për qëllim lehtësimin e këtyre procedurave pranë
QKB-së.
2. SHPK-të synojnë për të plotësuar nevojat e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Në
mënyrë tipike, ato financohen nga një grup i vogël ortakësh, të cilët kanë vullnetin që të
sigurojnë kapitalin e shoqërisë pa iu drejtuar publikut, sepse duan që vetëm ato ta kenë nën
kontroll ndërmarrjen e tyre. Për rrjedhojë, edhe kalimi i kuotave të pronësisë, në mënyrë
tipike, mund t’u nënshtrohet kërkesave ligjore që pengojnë kalimin lehtësisht të kuotave te të
tretët (neni 73, pika 3).
Neni 74
Pasojat e kalimit të kuotave
1. Personi që kalon kuotën dhe ai që e fiton atë përgjigjen në mënyrë solidare ndaj
shoqërisë për detyrimet që rrjedhin nga zotërimi i kuotës, nga çasti i kalimit të kuotave,
deri në çastin e regjistrimit të kalimit, sipas pikës 2 të këtij neni.
2. Shoqëria regjistron kalimin e kuotës, sipas nenit 43 të ligjit nr.9723, datë
3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit". Regjistrimi i kalimit të kuotave ka
efekt deklarativ.
Komente:
Pasojat e kalimit të kuotave me kontratë (pika 2 e nenit 73) meritojnë një shënim
specifik: neni 74, pika 2, parashikon që pronësia mbi kuotën gjykohet e transferuar në bazë të
dispozitave të kontratës. Kalimi i pronësisë nuk lidhet me regjistrimin në QKB. QKB-ja
vetëm regjistron zotëruesin e ri. Me fjalë të tjera, këtu, regjistrimi i kalimit në QKB nuk luan
asnjë rol formal në kalimin e të drejtave. Po kështu, për shkak të strategjisë për liberalizimin
për SHPK-të, nuk kërkohet asnjë regjistër i ortakëve, në të cilin të regjistrohej kalimi i
kuotave. Tani, ky është një dallim i madh midis regjimit të SHA-ve dhe sistemit të SHPK-ve
(shih nenin 117, pika 2, dhe nenin 119 në rastin e SHA-ve).
Neni 75
Pjesëtimi i kuotave dhe transferimi i tyre
1. Me përjashtim të rasteve kur kjo është e ndaluar nga statuti, kuotat mund të
pjesëtohen për shkak të kalimit të tyre.
112

