Page 109 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 109
alternative ndaj kërkesave për kapital minimal. 111 Ligji për shoqëritë tregtare e parashikon
këtë koncept në nenet nga 77 deri në 79.
6. Është krejt e sigurt se një test i tillë i aftësisë paguese dhe përgjegjësia përkatëse e
administratorëve të SHPK-së e pengojnë shpërndarjen e dividendëve në rast të “kapitalizimit
të pamjaftueshëm”. E, megjithatë, çfarë do të thotë “kapitalizëm i pamjaftueshëm” në kushtet
e SHPK-ve? Siç e kemi thënë më parë (komentet për nenin 16), kapitalizimi i pamjaftueshëm
mund të rezultojë në “shpimin e perdes së korporatës” dhe mund t’i bëjë administratorët e
SHPK-së (apo pronarët e mëdhenj dominues) që të përgjigjen personalisht, por vetëm në rast
të veprës së paligjshme financiare. Një SHPK, që mund të themelohet me 100 lekë, nuk quhet
automatikisht me kapital të pamjaftueshëm. Shoqërisë i nevojitet kapital i mjaftueshëm kur të
nisë faktikisht operacionet e veta. Asambleja e Përgjithshme duhet të vendosë se çfarë duhet
të ndodhë nëse ekziston një rrezik i paaftësisë paguese (neni 82, pika 3). Fakti i kapitalizimit
të pamjaftueshëm duhet t’i referohet gjithmonë kontekstit konkret të mbajtjes së kapitalit të
formës së shoqërisë në fjalë dhe sjelljes përkatëse të pronarëve, aksionarëve dhe
administratorëve. Sa i takon vlerës së ulët të kapitalit minimal dhe testit të aftësisë paguese të
SHPK-ëve, vetëm synimet e paligjshme të themeluesve ose pronarëve mund të shërbenin
faktikisht si shkas për aplikimin e rregullës e nenit 16 për shpimin e perdes këtu. Me fjalë të
tjera, dijenia (e prezumuar) për pamundësinë e përmbushjes së kërkesave për shlyerje të
kreditorëve, që kërkon kjo dispozitë, mund të shndërrohet në tregtim të padrejtë të qëllimshëm
ose të paligjshëm (neni 98, pika 4): një administrator, i cili vijon të zhvillojë aktivitet duke
hyrë me dashje në borxhe të tjera kur e di se shoqëria nuk do të mund t’i shlyejë asnjëherë
dhe, për rrjedhojë, nuk e mbledh Asamblenë e Përgjithshme, siç e kërkon neni 82, pika 3,
rrezikon të bëhet objekt jo vetëm i padive për dëmshpërblim sipas nenit 98, pika 4, por edhe i
kërkesës për t’u përgjigjur personalisht sipas nenit 16. Po kështu rrezikojnë ortakët, të cilët e
kanë kompetencën për ta bindur administratorin që të veprojë kështu. Ky është një shembull
tjetër i mënyrës me të cilën ligji për shoqëritë tregtare i ka zëvendësuar dispozitat për
sigurimin dhe mbajtjen e kapitalit, duke u fokusuar te detyrat e administratorëve.
7. Një përjashtim tjetër i SHPK-së nga shlyerja e kapitalit themeltar mund të gjendet në
nenin 41 të ligjit për regjistrimin e biznesit. Ai e shfuqizon kërkesën “klasike” për sigurimin e
kapitalit që kontributet në mjete monetare dhe në natyrë gjatë themelimit të SHPK-së të
paguhen pjesërisht ose plotësisht. Neni 41 i ligjit për regjistrimin e biznesit thotë se shlyerja e
kapitalit themeltar nuk përbën kusht për regjistrimin fillestar të SHPK-së (me përjashtim të
rastit kur në ligje të posaçme parashikohet ndryshe). Megjithatë, rregulla (“e jashtme”) që
mosshlyerja e kontributit nuk pengon regjistrimin dhe fillimin e aktivitetit të shoqërisë si
person juridik, nuk i përjashton pronarët nga detyrimi (“i brendshëm”) për të shlyer
kontributet, për të cilat është rënë dakord, kur e kërkon shoqëria tregtare. Mosshlyerja e
kontributeve mund të jetë shkak i përjashtimit të pronarit (neni 102).
111 Shih, më lart, Kreun B.I.
108

