Page 107 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 107
Neni 69
Regjistrimi
1. Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar regjistrohet sipas neneve 26, 28, 32 e 35 të
ligjit nr.9723, datë 3.5.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit".
2. Nëse shoqëria tregtare ka krijuar një faqe të saj në internet, të dhënat që i
njoftohen Qendrës Kombëtare të Regjistrimit publikohen në këtë faqe dhe u vihen në
dispozicion personave të interesuar.
Neni 70
Kapitali minimal
Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar nuk mund të ketë një kapital më të vogël se
100 lekë.
Komente:
1. Ligji për shoqëritë tregtare i vitit 2008 i ka ulur në mënyrë tërësore kërkesat ligjore për
kapitalin minimal të ligjit të mëparshëm për shoqëritë tregtare nr.7638. Për pasojë, ai thuajse i
ka eliminuar dispozitat për mbajtjen e nivelit të kapitalit. E vetmja dispozitë që ka mbetur,
është kërkesa për nivelin minimal të kapitalit që caktohet në një shumë tepër të vogël. Kjo
zgjidhje është një nga aspektet kryesore të modelit të ri dhe fleksibël të SHPK-së. Nuk
ekziston asnjë akt ligjor evropian që ta pengojë këtë ulje rrënjësore, apo madje, eliminimin e
plotë të kërkesave për kapitalin minimal për SHPK-të. Sipas legjislacionit të BE-së, “çmimi”
për përgjegjësinë e kufizuar (domethënë, mungesa e përgjegjësisë personale të aksionarëve) të
SHA-ve konsiston në mbrojtjen e aksionarëve dhe kreditorëve përmes kërkesave për kapitalin
minimal, domethënë, këto shoqëri duhet të kenë një nivel fiks minimal të kapitalit që vendoset
me ligj. Ky koncept ka gjetur shprehjen e vet rregullatore në Direktivën e Dytë 77/91/KEE
dhe është zgjeruar edhe për SHPK-të në shumicën e Shteteve Anëtare që ndjekin traditën e së
drejtës romake (Civil Law).
2. Megjithatë, vitet e fundit është debatuar shumë lidhur me dobishmërinë e këtij koncepti.
Kapitali minimal ofron “siguri” vetëm kur themelohet shoqëria. Nëse, më tej, ai shpenzohet
për shkak të humbjeve gjatë veprimtarive të përditshme, kjo mbrojtje nuk ekziston më.
Shpenzimi i kapitalit garanci është krejt normal, nëse vlera e përcaktuar në fillim është e
pamjaftueshme për të realizuar qëllimet e shoqërisë. Mbërritja e teknologjive të reja novatore
nënkupton se paraja mund të transferohet në mbarë botën brenda një kohe shumë të shkurtër.
Për rrjedhojë, është shumë e vështirë të ndiqen lëvizjet e vlerave të fondeve në llogaritë e
shoqërisë në një moment të caktuar. Prandaj, është e logjikshme që të hiqet dorë nga sistemet
e vjetra që mbështeteshin te librat kontabël, dhe të kalohet në një sistem që i penalizon
administratorët me përgjegjësi personale, nëse e keqpërdorin formën e përgjegjësisë së
kufizuar të aktivitetit tregtar.
106

