Page 103 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 103
Neni 67
Largimi i ortakëve
1. Shoqëria komandite nuk prishet për shkak të vdekjes apo të prishjes së një ose
më shumë prej ortakëve të kufizuar.
2. Nëse të gjithë ortaket e pakufizuar largohen nga shoqëria, atëherë shoqëria
kolektive prishet dhe likuidohet sipas dispozitave të këtij ligji.
3. Nëse largohen të gjithë ortakët e kufizuar, atëherë veprimtaria tregtare e
shoqërisë komandite mund të vazhdojë të ushtrohet në formën e një shoqërie kolektive
apo, nëse mbetet vetëm një ortak i pakufizuar, veprimtaria mund të ushtrohet me
statusin e tregtarit.
4. Ndryshimet e përmendura në pikat 1 e 3 të këtij neni duhet t'i njoftohen për
regjistrim Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.
5. Prishja e shoqërisë komandite në gjendjen e aftësisë paguese ka si pasojë hapjen
e procedurave të likuidimit, sipas neneve 190 deri 205 të këtij ligji.
PJESA IV
SHOQËRITË ME PËRGJEGJËSI TË KUFIZUARA
Komente:
1. Synimi i ligjit për shoqëritë tregtare është të ofrojë një sistem bashkëkohor, të qartë dhe
të përditësuar të drejtimit të brendshëm të shoqërive, i aftë për të përthithur investime të huaja.
Për këtë qëllim, ligji bën një ndryshim rrënjësor në modelin e shoqërive me përgjegjësi të
kufizuar (SHPK), krahasuar me konceptin për SHPK-në sipas ligjit të mëparshëm për
shoqëritë tregtare nr.7638.
Ndryshimi më i rëndësishëm është shkalla në të cilën SHPK-ja e re mund të ndërtohet
nga pjesëmarrësit e vet për t’iu përshtatur kushteve të tyre të veçanta. Janë ruajtur sa më pak
kërkesa ligjore të detyrueshme dhe elemente mbrojtës. Kërkesat ligjore të detyrueshme
minimale janë këto:
mbrojtja e palëve të treta që të mos vihen në pozita të pafavorshme nga ndonjë
rregull e brendshme e shoqërisë tregtare. Ky është një parim që vlen për të gjitha
format e shoqërive. Shih nenin 12 dhe komentet përkatëse për të;
regjistrimi në QKB. Shih nenin 69;
detyrimi që ortakët të japin kontributet për të cilat është rënë dakord. Shih nenin
68, pika 1, nenin 102, pika 1;
mbrojtja e ortakëve dhe kreditorëve duke parandaluar shpërndarjet, nëse anëtarët e
këshillit të administrimit ose këshillit mbikëqyrës nuk vërtetojnë se shoqëria
tregtare ka aftësi paguese. Shih nenet nga 77 deri në 79;
102

