Page 164 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 164
4. Në përputhje me parimet e përcaktuara në nenin 14 të këtij ligji, asambleja e
përgjithshme mund të vendosë që shoqëria të mos shpërndajë dividendë ose që fitimi
vjetor të mos u paguhet aksionarëve, që zotërojnë aksione të kategorive të veçanta, por
këto shuma të përdoren për qëllime të tjera. Të drejtat e aksionarëve, sipas
parashikimeve të statutit, mund të ndryshohen vetëm nëpërmjet një vendimi të marrë
me tre të katërtat e votave, sipas përcaktimit të nenit 145 të këtij ligji.
Komente:
Një prej të drejtave që jep një aksion lidhet me shpërndarjen e fitimit (dividendët).
Mirëpo, kjo shpërndarje bëhet me vendim të Asamblesë së Përgjithshme (neni 128, pika 1).
Asambleja është e lirë t’i refuzojë ose t’i shpërndajë dividendët e fitimeve përmes një vendimi
të veçantë sipas nenit 145, pika 1, nenit 128, pika 1 dhe 4. Edhe pse kjo rregull është tërësisht
legjitime, ajo mund të lërë shteg për abuzim nga ana e aksionarëve kontrollues në dëm të
aksionarëve në pakicë. Nëse aksionarëve nuk u jepen dividendë për një periudhë të gjatë
kohe, kjo mund të nënkuptojë shtypje të pakicës, e cila mund të kontrollohet vetëm në bazë të
parimeve ligjore të përgjithshme. Megjithatë, neni 128, pika 4, ia nënshtron vendimin e
Asamblesë së Përgjithshme detyrimit të besnikërisë, të parashikuar në nenin 14, që përcakton
jo vetëm parimin e trajtimit të barabartë të të gjithë aksionarëve në të njëjtat kushte (neni 14,
pika 2), por dhe detyrimin e aksionarëve për të marrë në konsideratë në mënyrë të
përshtatshme interesat e aksionarëve të tjerë (neni 14, pika 1); sigurisht, këtu përfshihen edhe
marrëdhëniet ndërmjet aksionarëve kontrollues dhe aksionarëve në pakicë.
Neni 129
Rikthimi i pagesave të paligjshme
Aksionarët detyrohen t'i kthejnë shoqërisë të gjitha shumat e përfituara nga ajo në
kundërshtim me dispozitat e këtij ligji. Këtu përfshihet dividendi, nëse aksionari kishte
dijeni apo nuk kishte si të mos ishte në dijeni që dividendi apo përparësitë e tjera ishin
marrë në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji. Padia për rikthimin e përfitimeve,
sipas këtij neni, parashkruhet brenda 3 vjetëve nga data e kryerjes së pagesës së
parregullt.
Neni 130
Shpërblimi për transaksionet ndërmjet shoqërisë dhe aksionarëve
Me përjashtim të veprimeve, që lidhen me kontributin në kapital, shpërblimi i
përfituar nga aksionari, në bazë të një veprimi ekonomik të kryer me shoqërinë, nuk
mund të jetë më i lartë se vlera normale, që ka tregu në atë çast për veprime ekonomike
të ngjashme.
163

