Page 166 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 166
përgjigjet deri në vlerën e garancisë, në çastin kur huaja është kthyer. Aksionari nuk
përgjigjet për këto shuma, kur kolaterali i dhënë si garanci, i kalohet shoqërisë për
pagesën e huasë.
2. Pika 1 e këtij neni zbatohet edhe për veprimet e tjera të aksionarit apo të palëve
të treta, nëse nga pikëpamja ekonomike janë të ngjashme me marrëveshjet e huasë, të
parashikuara në pikën 1 të këtij neni.
Neni 133
Ndalimi i nënshkrimit e blerjes së aksioneve
1. Shoqëria nuk mund të nënshkruajë aksionet e veta. Blerja e aksioneve të veta
nga shoqëria lejohet vetëm në rastet e parashikuara nga ky ligj.
2. Një shoqëri e kontrolluar nuk mund të nënshkruajë ose të blejë aksionet e
shoqërisë mëmë.
3. Nëse gjatë procedurës së themelimit apo të rritjes së kapitalit, një i tretë, në
kundërshtim nga sa më sipër, ka nënshkruar ose ka blerë aksionet për llogari të një
shoqërie, apo të një shoqërie të kontrolluar, sipas pikës 2 të këtij neni, atëherë ai
vlerësohet se i ka nënshkruar apo blerë ato për llogari të tij.
4. Aksionet e fituara, sipas pikës 1 të këtij neni, brenda një viti nga data e fitimit,
duhet të shiten nga shoqëria ose të anulohen, sipas nenit 186 të këtij ligji dhe
çregjistrohen nga regjistri i aksioneve.
5. Shoqëria nuk mund të ushtrojë, për aksionet e veta, të drejtat që sipas ligjit
rrjedhin nga zotërimi i tyre.
6. Aksionet e një shoqërie që zotërohen nga një shoqëri tjetër, e cila, në momentin
e fitimit të tyre, nuk ishte, por bëhet në vijim shoqëri e kontrolluar, duhet që, në mënyrë
alternative, të shiten nga shoqëria e kontrolluar apo të anulohen nga shoqëria mëmë,
brenda një viti nga data në të cilën është krijuar mes tyre marrëdhënia shoqëri mëmë -
shoqëri e kontrolluar sipas këtij ligji. 144
Komente:
1. Ligji nr.129/2014 bën një sqarim të rasteve të zotërimit të kryqëzuar të aksioneve të
shoqërive aksionare. Sipas tekstit të mëparshëm të nenit 133 të ligjit nr.9901, shoqëria bijë
nuk mund të nënshkruajë aksionet e shoqërisë mëmë. Por ai nen nuk i rregullon pasojat e
zotërimit të kryqëzuar të aksioneve, kur një shoqëri bëhet më pas filial i shoqërisë tjetër.
Amendamenti e zbaton rregullën e shitjes së shoqërisë që zotëron aksionet e veta (pra, kalimi
ose anulimi i aksioneve brenda një viti).
144 Ndryshuar me ligjin nr.129/2014, neni 21.
165

