Page 131 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 131
Në bazë të komenteve të marra nga grupet e interesit, kjo dispozitë mund të krijojë një vakum
në veprimtarinë e administrimit të shoqërive nga data e emërimit të administratorit të ri deri
në regjistrimin e tij faktik në QKB. Rrjedhimisht, u gjykua e arsyeshme që të ndryshohej
dispozita, duke parashikuar se, për qëllime të administrimit të brendshëm të shoqërisë,
emërimi i administratorëve të hyjë në fuqi menjëherë, por emërimi mund t’u kundrejtohet
palëve të treta pas regjistrimit në QKB, në përputhje me parimet e nenit 12 të ligjit nr.9901.
2. Pika 2 e nenit 95: Në kushtet e një grupi shoqërish, është me shumë rëndësi që të
ekzistojë llogaridhënia dhe transparenca. Shumë ekspertë të drejtimit të brendshëm të
shoqërive tregtare ndajnë mendimin se nuk duhet të ekzistojë një sistem që i lë drejtuesit të
pambrojtur ndaj korrupsionit ose konfliktit të interesit: çështja e “kapitalizmit me mik”. Kur
administratorët janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin, mund të cenohet detyrimi i besnikërisë
për administrimin e shoqërisë. Kohët e fundit, kjo çështje u evidentua, sidomos, ndërmjet
bankave të mëdha dhe fondeve të instrumenteve të mbrojtjes gjatë krizës financiare që nisi në
vitin 2007 dhe që ende vazhdon. Prandaj është tejet e rëndësishme të mbahet parasysh se
administratori i shoqërisë mëmë, në bazë të nenit 207, nuk mund të emërohet administrator i
filialit dhe anasjelltas. Kjo dispozitë vlen vetëm për Shqipërinë, meqenëse çdo juridiksion
është i posaçëm për vendin, përveç kur në ligj nuk parashikohet në mënyrë të përcaktuar qartë
juridiksioni jashtëterritorial.
3. Pikat 6, 8 dhe 9 të nenit 95: Ligji me shtesa dhe ndryshime i vitit 2014 i bëri më të
qarta dispozitat për dorëheqjen e administratorëve dhe shërbeu për harmonizimin e ligjit për
regjistrimin e biznesit me ligjin për shoqëritë tregtare. Me nenin 15 të ligjit nr.129/2014 me
shtesa dhe ndryshime, që ndryshon nenin 95 të ligjit për shoqëritë tregtare, synohet të
sqarohet se administratori mund të heqë dorë në çdo kohë nga detyra e tij, duke njoftuar me
shkrim QKB-në. Sipas shqetësimeve të ngritura nga grupet e interesit, në praktikë, QKB-ja
nuk e regjistron dorëheqjen e administratorit pa një vendim të Asamblesë së Përgjithshme për
zëvendësimin e tij/të saj.
Neni 96
Përfaqësimi
1. Kufizimet e tagrave të përfaqësimit të administratorëve i kundrejtohen palëve të
treta, në përputhje me dispozitat e nenit 12 të këtij ligji.
2. Administratorët, që përfaqësojnë bashkërisht shoqërinë tregtare, mund të
autorizojnë disa prej tyre për kryerjen e disa veprimeve të caktuara apo për kryerjen e
disa kategorive të caktuara veprimesh. Njoftimet e drejtuara secilit prej
administratorëve janë të vlefshme e detyruese për shoqërinë.
3. Tagrat e përfaqësimit të administratorëve dhe çdo ndryshim i tyre njoftohen për
regjistrim pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.
130

