Page 147 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 147
123), me siguri, do ta parandalonin “kapitalizimin e pamjaftueshëm”. Pra, çfarë mund të
nënkuptojë “kapitalizim i pamjaftueshëm” në kushtet e SHA-ve. Siç e kemi thënë më parë
(komentet për nenin 16 dhe nenin 70), kapitalizimi i pamjaftueshëm mund të rezultojë në
“shpimin e perdes së korporatës” dhe t’i detyrojë administratorët e SHA-së (apo aksionarët e
mëdhenj dominues) të përgjigjen personalisht. Megjithatë, kemi thënë gjithashtu se lindja e
kapitalizimit të pamjaftueshëm me rëndësi materiale nuk sjell, automatikisht, “shpimin e
perdes ”. Nuk ekziston ndonjë kërkesë ligjore që pronarët të rrisin kontributet. Asambleja e
Përgjithshme duhet të vendosë se çfarë duhet të ndodhë në rast të rrezikut të paaftësisë
paguese (neni 136, pika 3). Pra, këtu duhet të ekzistojnë tipare të tjera që të
përcaktohet nëse përmbushur kushtet për “shpimin e perdes ”. Fakti i kapitalizimit të
pamjaftueshëm gjithmonë duhet t’i referohet kushteve konkrete, të nevojshme për ruajtjen e
kapitalit, të formës së shoqërisë në fjalë dhe sjelljes përkatëse të pronarëve, aksionarëve dhe
administratorëve. Sa i takon dispozitave për sigurimin dhe ruajtjen e kapitalit të SHA-ve,
vetëm synimet e paligjshme të themeluesve ose pronarëve mund të ishin faktikisht shkak i
mjaftueshëm për zbatimin e rregullës së nenit 16, pika 1, për shpimin e perdes (shih nenin 5 të
ligjit nr.129/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9901, datë 14.04.2008, ‘Për
Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare’,” që ndryshon nenin 16 të ligjit për shoqëritë tregtare.) Me
fjalë të tjera, ndijenia (e prezumuar) për pamundësinë e përmbushjes së kërkesave të
kreditorëve për shlyerje, që kërkon kjo dispozitë, shndërrohet në tregtim të padrejtë të
qëllimshëm ose të paligjshëm (neni 163, pika 4): një administrator, i cili vijon të zhvillojë
aktivitet duke hyrë qëllimisht në borxhe të reja që ai e di se shoqëria nuk do të ketë mundësi
që t’i shlyejë asnjëherë dhe, për rrjedhojë, nuk e mbledh Asamblenë e Përgjithshme, siç e
kërkon neni 136, pika 3, rrezikon të bëhet objekt jo vetëm i padive për dëmshpërblim sipas
nenit 163, pika 4, por dhe i kërkesës për t’u përgjigjur personalisht sipas nenit 16. Kjo vlen
edhe për aksionarët, të cilët e kanë kompetencën për ta bindur administratorin të veprojë
kështu. Ky është një shembull tjetër i faktit që, edhe për SHA-të, kërkesat për sigurimin dhe
mbajtjen e kapitalit duhet të lidhen gjithnjë e më shumë me detyrat e administratorëve.
Neni 108
Llojet e kontributeve
Kontributet e aksionarëve mund të jenë në para apo në natyrë (pasuri të luajtshme
apo të paluajtshme ose në të drejta të vlerësueshme në para). Kontributet e aksionarëve
nuk mund të jenë në punë apo në shërbime.
Komente:
Sigurimi i kapitalit: Ligji përcakton se, në interesin e kreditorëve të mundshëm,
kapitali i shoqërisë sigurohet në përputhje me dispozitat e ligjit përpara regjistrimit të
shoqërisë, pra, përpara se shoqëria të krijohet si person juridik i pavarur. Konceptet juridike
që zbatohen këtu, janë në përputhje me Direktivën e Dytë:
146

