Page 151 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 151

Komente:

            1.    Në periudhën 2011-2012, gjatë diskutimeve për shqyrtimin e amendamenteve ndaj ligjit
            për shoqëritë tregtare,  palët e interesit sugjeruan një qartësim  të  nenit 113. Duket  se është
            konstatuar  që,  në  praktikën  shqiptare,  ka  ekzistuar  një  situatë  “bëri  veza  pulën  apo  pula
            vezën”. Ndërmjet ligjit për shoqëritë tregtare dhe ligjit për QKR-në (sot: për regjistrimin e
            biznesit) ka ekzistuar një vakum. Fillimisht, kontributet duheshin shlyer përpara regjistrimit,
            ndonëse, në këtë kohë, shoqëria nuk ishte themeluar. Kjo përbënte vështirësi, nëse kontributi
            ishte në natyrë, kur kërkoheshin disa formalitete me qëllim vlerësimin si duhet të kontributit,
            ndërsa ligjet e tjera parashikojnë procedura të posaçme për kalimin e pronësisë, sidomos, për
            pasuritë  e  paluajtshme,  që  mund  të  vonojnë  procesin  e  themelimit  të  shoqërisë  aksionare.
            Gjithashtu,  sipas  procedurave  të  posaçme  për  kalimin  e  pronësisë,  sidomos,  për  pasuritë  e
            paluajtshme,  kërkohet  regjistrimi  paraprak  i  shoqërisë  në  QKB.  Për  thjeshtëzimin  e
            mëtejshëm të procesit të regjistrimit të shoqërive aksionare, kapitali i të cilave përbëhet nga
            kontribute në natyrë, u vlerësua të sqarohet se detyrimi i aksionarit për kalimin e kontributit
            në natyrë gjykohet i kryer pasi aksionari ka nënshkruar çdo akt të nevojshëm për kalimin e
            titullit të pronësisë në kontributin në natyrë; dhe pas regjistrimit të shoqërisë, procedurat e
            tjera ligjore (p.sh.: regjistrimi në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme i kalimit të
            pronësisë) ndiqen nga administratori.
                    Nëse  themeluesit  nuk  i  shlyejnë  ose  nuk  i  kalojnë  kontributet  e  tyre  në  kohë,
            shoqëria  mund  të  vendosë  që  themeluesi  t’i  nënshtrohet  procedurës  sipas  nenit  124  për
            shlyerjet që nuk bëhen në kohë. Themeluesit, të cilët nuk shlyejnë kontributet e tyre në kohë,
            përgjigjen  për  çdo  dëm  ndaj  shoqërisë,  në  përputhje  me  nenin  10  dhe  nenin  113,  pika  3.
            Dispozita e nenit 124 nuk bën pjesë tek normat që rregullojnë themelimin, duke qenë se ajo
            zbatohet edhe për shlyerjet që kërkohet të bëjnë aksionarët (e ardhshëm), kur shoqëria është
            ekzistuese.
                 Përveç  kësaj,  nuk  mund  të  emetohen  aksione  përpara  regjistrimit  të  shoqërisë,
            meqenëse regjistrimi është i mundshëm vetëm nëse kontributet janë shlyer në përputhje me
            ligjin dhe me Statutin (neni 109, pika 2).

            2.    Kostot e themelimit mund t’u kthehen themeluesve vetëm deri në vlerën e përcaktuar në
            Statut (neni 111, pika 1). Kosto të tilla mund të jenë si kompensimi i shpenzimeve, ashtu dhe
            shpërblimet e lidhura me themelimin. Shpenzimet përfshijnë shlyerjen e kontributeve, tatimet,
            taksat dhe certifikatat e aksioneve, kur lëshohen të tilla (neni 118, pika 3). Shpërblimi ka të
            bëjë  me  themeluesit  ose  me  persona  të  tjerë  të  punësuar  gjatë  themelimit  si  ekspertë  ose
            konsulentë. Duke siguruar përcaktimin dhe publikimin e vlerës së themelimit në Statut, ligji
            përpiqet t’i pengojë themeluesit (ose personat e tjerë) që të mos e përdorin themelimin për
            përfitim  vetjak  dhe  në  dëm  të  aksionarëve  dhe  kreditorëve.  Kosto  të  tilla  të  themelimit
            paguhen nga shoqëria e re që mund të gjendet menjëherë me një barrë borxhesh (lidhur me
            themelimin). Për rrjedhojë, neni 111, pika 2, kërkon që kostot e themelimit të paguhen vetëm



                                                                             150
   146   147   148   149   150   151   152   153   154   155   156