Page 62 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 62
1. Strukturat organizative të përshtatshme të shoqërisë dhe shpërndarja e kompetencave
midis organeve të shoqërisë janë dy prej aspekteve më të rëndësishme të drejtimit të
brendshëm të shoqërisë. Transparenca dhe siguria ligjore janë me rëndësi thelbësore në këtë
aspekt. Ata, të cilëve u është ngarkuar detyra e administrimit të shoqërisë, duhet të japin
përherë llogari për aktivitetin e tyre përpara shoqërisë, investuesve, kreditorëve dhe
punëmarrësve, si dhe përpara atyre, të cilët kanë interesa sociale të tjera të njohura me ligj.
Një shqetësim kryesor në ekonomitë në tranzicion është kryerja e veprimeve me veten nga ana
e administratorëve, dhe keqtrajtimi i ortakëve apo aksionarëve në pakicë nga ana e ortakëve
apo aksionarëve të mëdhenj. Kur ka të ngjarë të ndodhë një gjë e tillë, investuesit kërkojnë një
prim shtesë për rrezikun, që pasqyrohet në çmime tejet të ulëta të aksioneve që e bëjnë
kapitalin tejet të kushtueshëm për shoqërinë, ose largohen dhe nuk investojnë fare në aksione.
Në çdo rast, mbrojtja e pamjaftueshme prej kryerjes së veprimeve me veten nga ana e
administratorëve ose prej shtypjes së ortakëve apo aksionarëve në pakicë ka një efekt tejet
negativ në rindërtimin ekonomik. Për rrjedhojë, për të pasur një ligj të zbatueshëm për
shoqëritë tregtare, nevojitet mbikëqyrja e përshtatshme e administratorëve të shoqërisë, si dhe
mbrojtja e ortakëve apo aksionarëve në pakicë. Për të shmangur administrimin e keq, ligji për
shoqëritë tregtare duhet të parashikojë organe mbikëqyrëse, të vendosë kufizime në
transaksionet që kryejnë administratorët, të cilët kanë konflikt interesi, dhe të parashikojë
norma për kontabiliteti dhe publikimin e informacioneve shpjeguese që janë të domosdoshme
për funksionimin siç duhet të shoqërisë. Për më tepër, ligji për shoqëritë tregtare duhet të
vendosë kufizime të caktuara në kompetencat e aksionarëve ose pronarëve të mëdhenj, në
mënyrë që të garantohet që ata të mos kenë mundësi të shfrytëzojnë shoqërinë në kurriz të
ortakëve apo aksionarëve në pakicë.
2. Neni 13 duhet interpretuar në këtë kontekst. Kjo dispozitë, në të vërtetë, bën pjesë në
detyrimet e besimit të anëtarëve të këshillit të administrimit dhe mbikëqyrës kuptimi i
përgjithshëm i të cilave jepet në nenet nga 14 deri në 16, dhe që për administratorët
përcaktohen në nenet 98, 163, 164 dhe 167. Ligji i mëparshëm nr.7638 është kritikuar
gjerësisht sepse nuk bënte një rregullim të mjaftueshëm të detyrimeve të anëtarëve të këshillit.
Pas mashtrimeve të mëdha, që kanë bërë shoqëritë shumëkombëshe gjatë viteve të fundit në
dëm të investuesve, kreditorëve, punëmarrësve dhe “sistemit” të tregut, detyrimet e anëtarëve
të këshillit janë bërë një prej mekanizmave kryesore rregullatore për të parandaluar situata të
tilla dhe për të përcaktuar atë që sot quhet “përvojë pozitive” ose “drejtim i brendshëm i
mirë”. Kjo është arsyeja se përse ligji i ri për shoqëritë tregtare u kushton shumë hapësirë
rregullatore detyrimeve të anëtarëve të këshillit.
Në këtë aspekt, neni 13, pika 1, sanksionon shprehjen e interesit të përgjithshëm për
përshtatshmërinë ose aftësinë e personave që mund të përfaqësojnë një shoqëri.
“Papërshtatshmëria” përcaktohet nga aspekte subjektive dhe objektive. Mund të thuhet se një
anëtar i këshillit të administrimit ose përfaqësues është i papërshtatshëm nëse është tejet i
pakujdesshëm dhe tërësisht i paaftë, domethënë, krejtësisht i paaftë për të përmbushur
61

