Page 67 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 67
profesionit. Gjyqtari ka përgjegjësinë që në çdo rast të gjejë përgjigjen e duhur (“e drejtë”),
një zgjidhje kjo në përpjekje për të përmbushur të drejtën e qytetarit për drejtësi në kushtet
shoqërore të kohës që janë në zhvillim të vazhdueshëm. Në këto rrethana, vetëpërmbajtja
gjyqësore, që dikur vlerësohej si një gjest fisnik i gjyqtarit të së drejtës civile në respektim të
ligjit, nuk mund të shërbejë si model. Nga ana tjetër, krijimi i standardeve të përshtatshme të
zbatimit, në kuadër të një ligji në zhvillim, është bërë më shumë se kurrë shenja dalluese e
vërtetë e autonomisë dhe pavarësisë profesionale të gjyqtarëve.
Neni 14
Parimet
1. Gjatë ushtrimit të të drejtave, ortakët dhe aksionarët veprojnë, duke marrë
parasysh interesat e shoqërisë dhe të ortakëve apo të aksionarëve të tjerë. I njëjti
detyrim zbatohet edhe për administratorët, anëtarët e këshillit të administrimit apo të
këshillit mbikëqyrës.
2. Me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe nga ky ligj ose nga statuti,
në rrethana të njëjta, ortakët dhe aksionarët gëzojnë të njëjtat të drejta, kanë të njëjtat
detyrime e trajtohen në mënyrë të barabartë.
Komente:
1. Historikisht, detyrimi i besnikërisë ka qenë parashikuar për pronarët (ortakët dhe
aksionarët) përkundrejt pronarëve të tjerë, dhe për anëtarët e këshillit të administrimit ose
këshillit mbikëqyrës dhe punonjësit përkundrejt organizatës. Bazuar në përgjegjësitë e
balancuara, që janë evidentuar gjatë debatit evropian dhe ndërkombëtar për drejtimin e
brendshëm të shoqërive, janë vendosur parime të reja të përgjithshme. Neni 14, pika 1, i ligjit
për shoqëritë tregtare i pasqyron këto parime: besimi reciprok ndërmjet palëve të interesit të
përfshira plus përgjegjësia e përbashkët për interesin e shoqërisë, si e tillë. Të njëjtat
detyrime vlejnë për administratorët e shoqërive kolektive dhe komandite (të cilët janë edhe
ortakë në këto shoqëri) si dhe përcaktojnë standardin e përgjithshëm të detyrimeve të
administratorëve (të SHPK-ve dhe SHA-ve) dhe të anëtarëve të këshillave të administrimit
dhe këshillave mbikëqyrës në rastin e SHA-ve, që specifikohen më tej në nenet 98, 163, 164
dhe 167.
Detyrimet e përcaktuara me nenin 14, pika 1, sigurisht nënkuptojnë detyrime të
besnikërisë të aksionarëve të mëdhenj kundrejt ortakëve apo aksionarëve në pakicë. Për
shembull, nëse ortakëve apo aksionarëve nuk u jepen dividendët për një periudhë të zgjatur
kohore, kjo mund të përbëjë shtypje të aksionarëve në pakicë, çka pritet të mbahet nën
kontroll përmes përmbushjes së detyrimit të besnikërisë. Nenet nga 15 deri në 18 janë
shprehje rregullatore të posaçme të këtij parimi të përgjithshëm të “besimit reciprok”.
2. Neni 14, pika 2, është njëra prej dispozitave kryesore për mbrojtjen e pronarëve të
shoqërisë dhe, në veçanti, për mbajtjen nën kontroll të ndikimit dominues të aksionarëve të
66

