Page 77 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 77
5. Shoqëria, si alternativë të ngritjes së padisë për shpërblimin e dëmit, mund t'i
kërkojë secilit prej personave të përmendur në pikën 1 të këtij neni:
a) të pranojë se transaksionet e kryera për llogari të tij të kalohen për llogari të
shoqërisë;
b) t'i transferojë shoqërisë të gjitha përfitimet që ka marrë nga kryerja e
veprimeve për llogari të personave të tretë;
c) t'i transferojë shoqërisë të gjitha të drejtat e kreditë, që kanë rrjedhur nga
kryerja e veprimeve për llogari të personave të tretë.
6. Padia për ushtrimin e të drejtave të shoqërisë ngrihet brenda 3 viteve nga data e
kryerjes së shkeljes. Për ngritjen e padisë ndaj personave të sipërpërmendur zbatohen,
gjithashtu, dispozitat e pikës 3 të nenit 10 të këtij ligji.
Komente:
1. Neni 17 përfshin për herë të parë një klauzolë për ndalimin e konkurrencës dhe për
paditë përkatëse në ligjin shqiptar për shoqëritë tregtare. Pika 1 e mbron shoqërinë si nga
konkurrenca e personave që punojnë në një firmë tjetër, por i njohin nga brenda operacionet të
shoqërisë, ashtu dhe nga rasti kur administratorët e përdorin krahun e punës të shoqërisë për
qëllime të tjera.
2. Është me rëndësi të thuhet se miratimi i parashikuar me ligj sipas nenit 17, pika 2, nuk
mund të jepet një herë e përgjithmonë, por kërkon një trajtim specifik rast pas rasti.
Neni 18
Sekreti tregtar
1. Sekreti tregtar është një e dhënë e vlerësuar nga shoqëria si informacion i
brendshëm apo dokument, që shoqëria mbron në mënyra të përshtatshme, i cili, nëse do
t'u përhapej personave të paautorizuar, do të shkaktonte dëm të konsiderueshëm të
interesave tregtarë të shoqërisë.
2. Nuk përbën sekret tregtar informacioni, që duhet të bëhet publik në bazë të
ligjit, që lidhet me shkeljen e ligjit, apo që duhet të publikohet në bazë të praktikave të
mira tregtare e parimeve të etikës tregtare. Përhapja e këtij informacioni vlerësohet e
ligjshme, nëse nëpërmjet këtij akti synohet të mbrohet interesi publik.
3. Administratorët, anëtarët e këshillit të administrimit, të këshillit mbikëqyrës,
anëtarët e këshillit të punëmarrësve, si dhe përfaqësuesit e punëmarrësve përgjigjen
ndaj shoqërisë për dëmin e shkaktuar nga përhapja e sekreteve tregtare, për të cilat
kanë dijeni, për shkak të kryerjes së funksioneve të tyre në shoqëri.
4. Me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe nga ligje të posaçme, padia
për ushtrimin e të drejtave të shoqërisë duhet të ngrihet brenda 3 viteve nga data e
kryerjes së shkeljes. Për ngritjen e padisë ndaj personave të sipërpërmendur zbatohen,
gjithashtu, dispozitat e pikës 3 të nenit 10 të këtij ligji.
76

