Page 89 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 89
dispozita pasqyrojnë një drejtpeshim të duhur të interesave të ortakëve dhe kërkesave praktike
të funksionimit të firmës.
Përgjithësisht, e drejta e përfaqësimit ushtrohet nga ortakët personalisht, nëse ortakët
nuk e përfaqësojnë shoqërinë bashkërisht (neni 38). Në rastin e dytë, e drejta e secilit ortak
për të përfaqësuar shoqërinë është e kufizuar. Megjithatë, të tretët, të cilët mbështeten në
rregullën e të drejtës personale të përfaqësimit të ortakëve, mbrohen nga rregullat e
103
parashikuara nga neni 12. Kjo do të thotë se shoqëria dhe të gjithë ortakët mbeten
përgjegjës.
Neni 32
Administrimi nga më shumë se një ortak
1. Nëse e drejta për administrimin u është dhënë të gjithë ortakëve ose vetëm
disave prej tyre, secili prej administratorëve ka të drejtë të veprojë në mënyrë të
pavarur, me përjashtim të rasteve kur veprimet e tyre kundërshtohen nga
administratorët e tjerë.
2. Nëse statuti parashikon që administratorët mund të veprojnë vetëm në mënyrë
të përbashkët, atëherë për çdo veprim kërkohet miratimi i të gjithë administratorëve,
me përjashtim të rasteve kur vonesa në kryerjen e veprimit mund t'i shkaktojë dëm
shoqërisë.
3. Nëse statuti parashikon që një administrator është i detyruar t'u bindet
udhëzimeve të një administratori tjetër, kur këto udhëzime konsiderohen të
papërshtatshme, ai njofton administratorët e tjerë për të marrë një vendim të
përbashkët për kryerjen e veprimit, me përjashtim të rasteve kur vonesa në kryerjen e
veprimit mund t'i shkaktojë dëm shoqërisë.
Neni 33
Objekti i administrimit
1. E drejta për administrim përfshin kryerjen e të gjitha veprimeve të nevojshme
për ushtrimin e zakonshëm të veprimtarisë tregtare të shoqërisë.
2. Veprimet, të cilat tejkalojnë objektin e kompetencës së përmendur në pikën 1 të
këtij neni, kërkojnë miratimin e të gjithë ortakëve.
Neni 34
Kalimi i të drejtave të administrimit
Ortaku, me miratimin e gjithë ortakëve të tjerë, mund t'i kalojë një palë të tretë të
drejtat e administrimit të shoqërisë.
103 Shih, më lart, komentet për nenin e referuar.
88

