Page 92 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 92
pagesë rrjedh drejtpërdrejt nga marrëdhënia e shoqërisë, domethënë, i përkon si kërkesë
personale një “detyrimi solidar (social)” të shoqërisë. Përndryshe, parimi i nenit 29, që i
kufizon kontributet në vlerat e miratuara në Statut, përmbyset nga krijimi i një detyrimi shtesë
në bazë të neneve 27 dhe 40, pika 1. Për rrjedhojë, neni 40, pika 1, nuk zbatohet në rastin e
“detyrimeve solidare të brendshme të shoqërisë”. 104
3. Megjithatë, në bazë të marrëdhënies së brendshme (dhe jo në bazë të nenit 40), pagesa e
pashlyer e faturës së shoqërisë mund të kërkohet nga ortakët e tjerë në mënyrë përpjesëtimore
përsa i takon përgjegjësisë të brendshme solidare, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Civil
në nenet 423-435 (dhe në nenin 626). Ky këndvështrim nuk bie në kundërshtim me nenin 29
(nuk ka kontribute të tjera shtesë), meqenëse shlyerja e ortakëve në kuadër të kompensimit të
përgjegjësisë solidare nuk mund të trajtohet si rritje e kontributeve të ortakëve. Me fjalë të
tjera, kjo pagesë rrjedh vetëm nga rreziku i marrëdhënieve të jashtme të shoqërisë, që
shpërndahet brendapërbrenda mes ortakëve. Mund të mos ketë ndonjë efekt fakti nëse një
ortaku i kërkohet drejtpërdrejt nga një kreditor si i tretë të shlyejë detyrimin, ose tërthorazi
nga një ortak tjetër, i cili kërkon një shlyerje përpjesëtimore të shpenzimeve pasi ka
përmbushur kërkesën për pagesë të kreditorit.
Neni 41
Prapësimet
Nëse një kreditor ngre padi ndaj një ortaku për detyrimet e shoqërisë, atëherë
ortaku mund të mbrohet duke ngritur ndaj kreditorit prapësime, që i përkasin
personalisht ortakut, si dhe ato që i përkasin shoqërisë.
Neni 42
Përgjegjësia e ortakut të ri
Personi, që fiton cilësinë e ortakut në një shoqëri kolektive ekzistuese, merr
përsipër detyrimet e shoqërisë, përfshirë këtu edhe detyrimet që ekzistonin përpara se ai
ta fitonte këtë cilësi. Çdo marrëveshje në kundërshtim me këtë dispozitë nuk prodhon
efekte ndaj palëve të treta.
104 Kjo do të ishte, të paktën, “zgjidhja gjermane”, sepse ligji gjerman për shoqëritë e tilla njeh pavarësinë relative të
pronës së shoqërisë. Kjo nuk nënkupton një lloj përgjegjësie të kufizuar: ortakët përgjigjen personalisht, në çdo kohë, për
borxhet e shoqërisë. Ajo që ndryshon është “trajtimi i brendshëm” i këtij rasti, që do të thotë se një ortak, i cili ka paguar
në emër të shoqërisë, fillimisht duhet të përpiqet t’i marrë këto para nga (administratorët e) shoqërisë dhe, në rast se
shoqëria nuk pranon ta paguajë, nga ortakët e tjerë, duke zbritur pjesën e tij të përgjegjësisë solidare. Siç e tregon teksti,
ai nuk është “i tretë” dhe, në këtë rast, nuk zbatohet neni 40, pika 1. Pikëpamja alternative që aplikohet, për shembull, në
Mbretërinë e Bashkuar, duket se është më pak e ndërlikuar. Në këtë rast, nuk do të bëhej dallimi midis pasurive të
shoqërisë dhe atyre të ortakëve: nëse një kreditor i shoqërisë shlyhet, ky borxh duhet të mbulohet nga shoqëria, pra,
domethënë, nga ortakët deri në kufirin e pasurive personale të vetat. Ky trajtohet si një rast që mbulohet nga neni 40,
pika 1. Ortaku, i cili vepron në mirëbesim për të shlyer borxhin e shoqërisë, nuk duhet penalizuar nga konceptet (e
diskutueshme) të pasurive të veçuara të shoqërisë dhe marrëdhënieve të brendshme. Ai duhet të gëzojë avantazhet si çdo
kreditor tjetër. I vetmi dallim është se, përpara se të kërkojë të drejtat e veta ndaj ortakëve të tjerë, ai duhet ta zbresë
përqindjen e tij të përgjegjësisë. Se cila zgjidhje i përshtatet më mirë sistemit shqiptar, këtë do të duhet ta vendosin
juristët shqiptarë.
91

