Page 108 - gjuha shqipe 3 per shtyp.pdf
P. 108
Lexojmë
KËPUCA PREJ ARGJENDI
Ishte një herë një nënë që kishte shtatë
fëmijë. Për të shtatë fëmijët duheshin
shumë gjëra: shtatë palë veshje,
shtatë palë këpucë, shtatë shtretër.
Por, nëna e varfër nuk kishte aq
shumë gjëra për ta. Kur erdhi
dimri, ajo nisi të qepë nga një
palë këpucë për të shtatë fëmijët
e saj, por, në fund, iu mbaruan
penjtë dhe lëkura për njërën nga
këpucët e më të voglit të fëmijëve.
Për fat, fëmija i vogël ende nuk kishte filluar të ecte, kështu që nëna
mendoi se me një këpucë do t’i mbante njërën këmbë ngrohtë, ndërsa për
tjetrën do të mundohej të gjente diçka tjetër.
Në mbrëmje ajo i vendosi të gjitha këpucët pranë portës.
Një yll i vogël kaloi aty afër dhe i pa këpucët që përtej xhamave të portës.
U kënaq duke i parë, pasi ato ishin të reja. Papritur, vuri re se ishte një
këpucë më pak. Dhe ishte më e vogla nga këpucët që mungonte.
I shkreti Pal, si do të bënte për të ecur nëpër botë me një këpucë! Mos
vallë kishte ndonjë problem në këmbë?
Ylli i vogël u afrua pranë shtratit të Palit, i cili ishte në gjumë të thellë.
Këmbët e tij të bardha kishin dalë pak jashtë mbulesave. Ylli
i vogël i pa me kujdes këmbët e vogla të Palit, të cilat dukej
sikur i thoshin:
“Hë si të dukemi? Nuk i meritojmë një palë këpucë të bukura
për hapat tanë të parë mbi dhé?”
I shkreti yll, edhe ai nuk kishte ndonjë pasuri të
madhe, por u kujtua se kishte një rrotëz peri
me fije të argjendtë dhe për tërë natën
qepi një palë këpucë shumë të
bukura për vogëlushin.
108