Page 12 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 12
dy modelet ndodhen nën “trysni”, pasi asnjëri prej tyre nuk ka arritur të krijojë imunitet ndaj
kolapseve apo skemave mashtruese. Në vitin 2008, në Perëndim ndodhi një kolaps financiar
që preku banka të mëdha dhe pasojat e kësaj katastrofe ende ndihen në shumë vende. Nga
pikëpamja strukturore, pjesa më e madhe e bankave ndërkombëtare menaxhohet sipas modelit
anglo-amerikan (investitorët janë aktorët më të rëndësishëm), por të dy sistemet janë tronditur
nga skandalet. Prandaj këto dështime nuk mund t’i atribuohen vetëm keqfunksionimit
15
strukturor të njërit prej modeleve. Në SHBA, kodet ekzistuese të etikës nuk arritën ta
shmangnin keqadministrimin dhe mashtrimin brenda shoqërisë ENRON; në Gjermani bashkë-
vendosja midis drejtuesve dhe punëmarrësve nuk arriti të pengojë bashkimet, ligjërisht të
dyshimta, mes shoqërive (p.sh. rasti MANNESMANN) dhe as pasurimin e paligjshëm të
administratorëve (p.sh. rasti SIEMENS), ndërsa në Itali qëndrimi pozitiv i disa bankave të
rëndësishme evropiane bëri që publiku të kishte besim tek administrimi i shoqërisë
PARMALAT, pavarësisht faktit se kjo shoqëri po shkonte drejt falimentimit dhe brenda saj
po kryheshin “veprime tregtare të paligjshme”.
Në lidhje me sa më sipër, qarkullonin zëra se këto dështime ishin vetëm incidente të
kufizuar, pra vetëm përjashtime që konfirmonin rregullin e funksionimit të mirë të sistemeve
globale të qeverisjes së korporatave. Sidoqoftë, një pjesë e mirë e ekspertëve, qeverive dhe
organizatave ndërkombëtare pranonin se, për shkak të ndërlikimit të strukturave bashkëkohore
të shoqërive tregtare dhe të tregjeve financiare ku ato vepronin, dhe të një situate epidemike
16
“konflikti interesash” , masat rregullatore ekzistuese nuk ishin të mjaftueshme, dhe për t’u
dhënë zgjidhje problemeve strukturore dhe funksionale, nevojitej adoptimi i një sërë masave
rregullatore të reja. Ngurrimi për t’iu kthyer “punës si zakonisht”, duke marrë masa të reja,
buron nga fakti se korporata të mëdha kombëtare dhe shumëkombëshe po bëhen gjithnjë e më
shumë “administratorë të besuar socialë” të ekzistencës së miliona njerëzve, përveç faktorit
të punësimit: në kohëra kur sistemet e pensioneve publike lëngojnë, pjesëmarrja në fondet e
investimeve dhe të pensioneve, që e investojnë kapitalin e tyre në shoqëri tregtare, është
kthyer në një alternativë ndaj asistencës së ardhshme sociale për grupe të tëra të popullsisë.
17
Ky debat solli ndërhyrje rregullatore dhe përcaktimin në nivel ndërkombëtar të kodeve,
18
parimeve dhe udhëzuesve të qeverisjes së korporatave, që nganjëherë quhen dispozita
15 Në këtë aspekt, rekomandojmë J. W. Cioffi, “Corporate Governance Reform, Regulatory Politics and the Foundations
of Finance Capitalism in the United States and Germany” (“Reforma në fushën e drejtimit të brendshëm të shoqërive
tregtare, politikat rregullatore dhe bazat e kapitalizmit të financave në SHBA dhe në Gjermani”), tek “German Law
Journal” (“Buletini Juridik Gjerman”) (në internet), vol. 07/06, f. 533–62.
16 Për këtë rekomandojmë G. Rossi, “Konflikti epidemik” (“Il conflitto epidemico”) (Adelphi, 2003). Duke pasur
parasysh praninë transversale institucionale të konfliktit të interesit në ekonomi dhe politikë, do të ishte më e
përshtatshme që të quhej “endemik”.
17 Shih Ligjin e SHBA-së, të ashtuquajtur Sarbanes-Oxley, të vitit 2002, “për mbrojtjen e investuesve përmes rritjes së
saktësisë dhe besueshmërisë së informacioneve shpjeguese të dhëna nga shoqëritë aksionare në bazë të ligjeve për letrat
me vlerë dhe për qëllime të tjera”.
18 Më të njohura janë parimet e rishikuara të OZHBE-së (2004) “Parimet e drejtimit të brendshëm të shoqërive tregtare”
(http://www.oecd.org/document/49/0,3746,en) dhe udhëzimet e OZHBE-së (2000) “Udhëzues për ndërmarrjet
shumëkombëshe” (http://www.oecd.org/document/28/0,3746,en). Të dy këto dokumente bëjnë pjesë në të njëjtin mjedis
“të formimit të shoqërive tregtare” (shih J. Dine, “Companies, International Trade and Human Rights” (“Shoqëritë
tregtare, tregtia ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut”), (Kembrixh, Shtypshkronja “University Press”, 2005).
11

