Page 14 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 14
kjo është një zhvendosje nga modelet rregullatore franko-gjermane, që mbizotëronin gjatë
“fazës së parë” që përmendet, tek modeli anglo-amerikan që u jep përparësi tregjeve të
kapitalit dhe drejtimit të brendshëm të shoqërive aksionare në “fazën e dytë”. Megjithatë, nga
ana tjetër, për shkak të zhvillimeve që trajtohen në paragrafin e mëparshëm, perceptimi i
drejtimit të brendshëm të shoqërive po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt llogaridhënies
ekonomike dhe përgjegjësisë sociale të shoqërisë tregtare (CSR), koncept ky që mund të
23
quhet “themelimi i shoqërisë”.
Koncepti i “themelimit të shoqërisë” njeh se dy privilegjet e personalitetit juridik dhe,
për shoqëritë me kuota ose aksione, të përgjegjësisë së kufizuar janë pranuar në pikëpamje
sociale dhe janë promovuar për sa kohë që subjektet e vetë-qeverisura ekonomike angazhohen
që të marrin në konsideratë “interesat” e mjediseve sociale, njerëzore dhe natyrore ku
ushtrojnë aktivitet. Ky angazhim përfshin detyra dhe detyrime të jashtme dhe të brendshme të
shoqërisë. Angazhimi i “jashtëm” lidhet me ndërveprimin e përcaktuar ligjërisht, por dhe me
marrëdhëniet kontraktore me “aktorë të tjerë” (kreditorët, punëmarrësit, komunitetet lokale,
grupet mjedisore, “publiku”). Angazhimi i “brendshëm” lidhet me përcaktimin e rregullave
organizative që parashikojnë marrjen në konsideratë të këtyre “interesave” të tjera në kuadër
të strukturave të shoqërisë për marrjen e vendimeve dhe menaxhimin e riskut. Kjo gjë kërkon
“themelimin” ligjor të shoqërisë që përcakton përgjegjësitë procedurale për përfshirjen e
këtyre interesave. Mund të kuptohet lehtësisht se një ligj për shoqëritë tregtare, i përpiluar siç
duhet, është me rëndësi thelbësore për vënien në jetë të këtyre strategjive rregullatore publike-
private. Për rrjedhojë, ai kthehet në një parakusht të domosdoshëm për ekonomitë
bashkëkohore sociale të tregut. Ligji shqiptar për shoqëritë tregtare është hartuar që t’i ndjekë
qartas këto zhvillime rregullatore evropiane dhe ndërkombëtare në gjithë strukturën e tij.
II. Aspektet kushtetuese të së drejtës tregtare shqiptare dhe të ligjit shqiptar për
shoqëritë tregtare
Garancia kushtetuese e veprimtarive ekonomike të themelimit dhe drejtimit të një
organizate biznesi, si kontraktuese apo si shoqëri tregtare, përcaktohet në dispozitat e nenit 11
të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. E drejta e pronës garantohet nga neni 41 i
Kushtetutës.
23 Shih Materialin për Diskutim të Komisionit të BE-së “Nxitja e kuadrit evropian për përgjegjësinë sociale të
bizneseve”, COM 2001, 366 përfundimtar, Bruksel, datë 18.07.2001. Mes të tjerash, materiali për diskutim trajton edhe
krijimin e standardeve të përshtatshme për sigurinë teknike, administrimin e qëndrueshëm mjedisor dhe respektimin e
drejtave të njeriut. Shih, gjithashtu, “Kompaktin Global” të OKB-ësë në adresën: www.un.org dhe Parimet orientuese për
biznesin dhe të drejtat e njeriut, http://www.ohchr.org/Documents/Publications/GuidingPrinciplesBusinessHR_EN.pdf.
“Kodet” e përmendura në poshtëshënimin numër 8. Shih edhe J. Dine, bashkautor Kirsteen Shields, Nina Boeger, Rachel
Murray dhe Charlotte Villiers (red.) “Corporate Social Responsibility: Do Corporations Have to Trade Fairly? Can the
Fairtrade Movement Deliver the Duty?” (“Përgjegjësia sociale e biznesit: a duhet të bëjnë aktivitet tregtar me drejtësi
shoqëritë tregtare? A mund ta përmbushë misionin lëvizja e tregtisë me drejtësi?”) tek “Perspective on Corporate Social
Responsibility” (Edwards Elgar, 2008).
13

