Page 15 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 15

Megjithatë, parimet dhe liritë përsa i takon sistemit ekonomik duhen parë lidhur me të
            drejtat dhe liritë e tjera, kryesisht ato që përcaktohen në Pjesën e Dytë, Kreu IV i Kushtetutës
            për “Liritë dhe të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore” (nenet 49 deri 58) dhe lidhur me
            “Objektivat sociale” që parashikon Kreu V (neni 59). Kreu IV i tejkalon kushtetutat “liberale
            klasike” dhe parashikon të drejtat për sigurimet shoqërore, shërbimet shëndetësore, sigurimet
            shëndetësore dhe arsimin, krahas mbrojtjes së krahut të punës, familjes, fëmijëve, të rinjve,
            grave  shtatzëna  dhe  nënave.  Në  mënyrë  retorike,  këto  të  drejta  sociale  fuqizohen  nga
            Preambula ku përmendet  “vendosmëria për të ngritur një shtet demokratik dhe social” dhe
            “zotimi  për  (...)  solidaritet  social”.  Neni  3  i  Kushtetutës  rendit  “drejtësinë  sociale”  mes
            “themeleve të Shtetit dhe detyrave të tij për t’i respektuar dhe mbrojtur ato”. I fundit për nga
            radha por jo për nga rëndësia, është angazhimi i shtetit për të punuar për objektivat socialë,
            shprehur  në  nenin  59.  Kjo dispozitë  parashikon  se nisma  dhe  përgjegjësia  private  duhet  të
            plotësohen  me  masat  e  shtetit  për  përmirësimin  e  mjedisit  social  dhe  natyror  sikurse
            parashikohen në shkronjat “a” deri në “j”. Kjo dispozitë mund të lexohet edhe në kuptimin se
            këtu Kushtetuta e Shqipërisë njeh një përgjegjësi sociale bazë të personave privatë (fizikë apo
            juridikë), përgjegjësi të cilën shteti duhet ta plotësojë për shkak të mjeteve të kufizuara që këta
            persona privatë kanë për të treguar kujdes mjaftueshëm për “aspekte të komunitetit”.
                 Edhe  pse  përgjegjësia  sociale  private  njihet,  këto  objektiva  mund  të  bëhen  të
            detyrueshme vetëm me akt ligjor (neni 59, pika 2). Dhe, kështu kemi kaluar tek rregullat e
            nenit 17, pika 1, sipas të cilit çdo kufizim i të drejtave dhe lirive themelore (ekonomike dhe të
            tjera) të parashikuara nga Kushtetuta duhet të bëhet vetëm me ligj për interesin publik ose për
            mbrojtjen  e  të  drejtave  të  personave  të  tjerë;  dhe  një  kufizim  i  tillë  duhet  të  jetë  përherë
            proporcional. Ky kufizim nuk mund ta prekë asnjëherë thelbin e këtyre të drejtave dhe lirive
            dhe ai duhet të përmbushë kërkesat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (neni 17,
            pika 2). Po kështu, liria ekonomike dhe të drejtat e pronës mund të kufizohen vetëm për “arsye
            publike të rëndësishme” ose “interesa publikë” (neni 11, pika 3, dhe neni 41, pika 2). Por,
            sigurisht, promovimi i të drejtave dhe lirive të renditura në Kreun IV dhe V të Kushtetutës
                                                              24
            mund ta përmbushë fare mirë kriterin e këtyre arsyeve apo interesave .
                 Megjithatë, ligji për shoqëritë tregtare, sigurisht, vendos kufizime për themelimin dhe
            aktivitetin  e  shoqërive  tregtare,  kryesisht,  lidhur  me  shoqëritë  aksionare.  Mirëpo,  me  këto
            kufizime  dhe  detyra  e  përgjegjësi  të  parashikuara  nga  ligji  për  shoqëritë  tregtare  synohet
            krijimi i një sistemi ekonomik funksional dhe të përgjegjshëm nga ana sociale, dhe nuk mund
            të  konsiderohen  si  jo  proporcionale  në  kuadër  të  drejtpeshimit  kushtetues  të  interesave  të
            lartpërmendur.





            24  Lidhur me procesin e krijimit dhe strukturën e Kushtetutës së Shqipërisë, shih G. Frankenberg, “Verfassungsgebung
            zwischen Hobbesianischem Naturzustand und Zivilgesellschaft”. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë te Vjetari i të
            Drejtës Publike 2000.


                                                                              14
   10   11   12   13   14   15   16   17   18   19   20