Page 16 - Ligji për tregtarët dhe shoqëritë tregtare - teksti me shpjegime
P. 16
III. Efekti i angazhimit në kuadër të MSA-së në përafrimin e legjislacionit dhe
praktikës shqiptare me Acquis-në e BE-së
Fjalia e parë e nenit 122, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon
që “çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik
pasi botohet në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë”. Pika 3 sanksionon se “një
marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen
me të”. Këto dispozita përcaktojnë efektin e Marrëveshjes së Stabilizim dhe Asociimit (MSA,
viti 2006) në sistemin ligjor dhe institucional shqiptar. Ky efekt nuk shkon deri aty sa të bëjë
që institucionet (dhe qytetarët) shqiptare të bëhen menjëherë dhe drejtpërsëdrejti objekt i
legjislacionit të BE-së, të parimeve të tij të “epërsisë” mbi të drejtën e brendshme dhe të
“efektit të drejtpërdrejtë” të dispozitave të traktatit, rregulloreve dhe direktivave. Këto parime
25
aplikohen plotësisht vetëm për Shtetet Anëtare. Ato nuk aplikohen për “vendet kandidate” që
26
janë në regjimin e marrëveshjes së asociimit.
25 Gjykata e Evropiane e Drejtësisë (GJED) ka krijuar doktrinën e “epërsisë së legjislacionit të BE-së” në vijim të
gjykimit se BE është një “organizatë mbi nivelin kombëtar” (shih Çështjen gjyqësore 26/62 “Van Gend & Loos”),
domethënë, një rend i ri juridik që është bërë më i madh sesa shuma e gjithë pjesëve të tij, dhe ku traktatet themeluese
kanë një kuptim të ndryshëm krahasuar me traktatet ndërkombëtare. Për pasojë, në BE ka humbur terren koncepti klasik i
“sovranitetit kombëtar”. Ky koncept është zëvendësuar me një lloj “kushtetueshmërie apo sovraniteti me shumë nivele”,
që ka çuar në një “qeverisje” integruese të një lloji të ri që ndërthur hierarkinë me bashkërendimin dhe përbëhet nga
normat dhe standardet e BE-së, normat dhe standardet e Shteteve Anëtare dhe normat dhe standardet e pranuara
ligjërisht, që kanë përcaktuar shoqatat “private”. Instrumentet kryesore që përdoren për harmonizimin dhe përafrimin
janë nenet e traktateve, rregulloret, direktivat dhe rekomandimet, që interpretohen nga GJED dhe zbatohen nga gjykatat
vendase.
Në këtë kontekst, doktrina e “efektit të drejtpërdrejtë” do të thotë se çdo masë, që konsiderohet se ka fuqi të
drejtpërdrejtë, ndikon te të drejtat e qytetarëve të ndryshëm, të cilët mund t’i bazojnë kërkesat e tyre tek dispozita
përkatëse e legjislacionit të BE-së. Nëse konstatohet se një nen i traktateve është mjaftueshmërisht i qartë, i saktë dhe i
pakushtëzuar, ai zbatohet drejtpërsëdrejti në një Shtet Anëtar dhe ndikon tek të drejtat e qytetarëve. Rregulloret, sipas
nenit 288 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFBE) (ish-neni 249 i TKE), “parashikohen
drejtpërdrejtë” në legjislacionin e Shteteve Anëtare, kështu që ato ndikojnë njëlloj tek të drejtat e individit. Statusi i
“direktivave” është më pak i qartë, duke qenë se Shtetet Anëtare mund ta zgjedhin vetë “formën dhe mënyrën” e zbatimit
të tyre. Megjithatë, GJED, edhe në këtë rast, zbaton doktrinën e efektit të drejtpërdrejtë, nëse një Shtet Anëtar nuk e
zbaton një direktivë në legjislacionin kombëtar deri në fund të afatit të përcaktuar ose nëse nuk e zbaton atë siç duhet,
dhe sa herë që dispozitat e saj duken se janë të pakushtëzuara dhe mjaftueshmërisht të sakta për të përcaktuar të drejtat
që mund të kërkojnë individët nga shteti (shih Çështjen gjyqësore 8/81, “Becker”, dhe Çështjen gjyqësore 152//84,
“Marshal”). Për më tepër, GJED mundëson që individët të kërkojnë dëmshpërblim për dëme që vijnë nga shkelja e
legjislacionit të BE-së nga një Shtet Anëtar, përfshirë shndërrimin jashtë afateve të legjislacionit të BE-së në legjislacion
kombëtar (shih Çështjet e bashkuara gjyqësore 6 & 9/90 “Francovich”; Çështjet gjyqësore 6 & 48/93 “Brasserie du
Pecheurs”/”Factortame). “Rekomandimet” nuk janë të detyrueshme, sipas nenit 288 të TFEU (ish-neni 249, pika 4 i
TKE). Megjithatë, gjykatat kombëtare duhet të bëjnë interpretimin e legjislacionit kombëtar që zbaton legjislacionin e
BE-së lidhur me Rekomandimet; shih Çështjen gjyqësore nga jurisprudenca e GJED-së 322/88. Të gjitha çështjet
gjyqësore kryesore të GJED-së mund të gjenden në grupin e faqeve të internetit të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit
Evropian në adresën: http://www.curia.eu.int).
26 Përsa i takon përgatitjes së grupit të parë të vendeve kandidate nga Evropa Lindore, harmonizimi i plotë me acquis
communautaire u kthye në një parakusht gjatë fazës së para-anëtarësimit, nën regjimin e të ashtuquajturit partneritet për
anëtarësim. Fjala acquis do të thotë tërësi e parimeve dhe politikave të Traktateve, e legjislacionit parësor dhe dytësor
dhe e detyrimeve ndërkombëtare të Komunitetit dhe përfshin zbatimin e këtij rendi juridik nga GJED. Pas mossuksesit të
“Kushtetutës për Evropën” Traktatet kryesore evropiane (i Romës 1957, i Mastrihtit 1992, i Amsterdamit 1997 dhe i
Nisës 2000) u “ri-harmonizuan” përmes “traktati të ri reformues” të Lisbonës, që u miratua në mbledhjen e Këshillit
Evropian mbajtur në Lisbonë në dhjetor të vitit 2007 dhe hyri në fuqi në 1 dhjetor 2009. Gjithë traktatet e përmendura
mund t’i gjeni në në adresën e internetit të BE-së http://eur-lex.europa.eu/collection/eu-law/treaties.html.
15

