Page 199 - gjuha shqipe 3 per shtyp.pdf
P. 199
Dëgjojmë
Lejleku: (e nuhat) Të lumshin duart, duket shumë e mirë. (Fut sqepin në
pjatë, por nuk mund të hajë dot, sepse pjata është e cekët.)
Dhelpra: Supa qenka bërë vërtet e mirë! (E shikon me dinakëri lejlekun
që nuk ha dot dhe vazhdon të shijojë ushqimin.)
Lejleku: (me ton përqeshës) Po, po u kënaqëm! Nesër je e ftuar në
shtëpinë time, do të gatuaj unë për ty.
Dhelpra: (e habitur) Faleminderit, por nuk është nevoja.
Lejleku: Ngul këmbë, një shoqe si ti nuk është e lehtë ta gjesh.
Akti 2, skena 1
(Dhelpra pranë shtëpisë së lejlekut. Nuhat në ajër aromën e gjellëve.)
Dhelpra: Mmmm, sa aromë e mirë! Lejleku s’e paska kuptuar që e vura
në lojë. Pa u vonuar më, po futem brenda. (troket në derë)
Lejleku: Urdhëro, mike e shtrenjtë! Mirë se erdhe!
Dhelpra: Mirë se të gjeta!
Akti 2, skena 2
(Tavolina e shtruar dhe dy karrige bosh.)
Lejleku: Urdhëro, ulu. Kam gatuar peshq. (i zgjat një qyp plot me peshq)
Dhelpra: Të lumshin duart!
Lejleku: Provoje njëherë, pastaj më thuaj të lumshin duart.
Dhelpra: (e nuhat) Nga aroma, duket shumë e mirë. (Provon të futë
turirin në qyp, por nuk ia nxë. E kap qypin me të dyja duart dhe i ngec koka
brenda.)
199