Page 93 - SHPIRTI-Iben Kajjim ElXhevzijj
P. 93
cilët janë më të vlefshëm se shehidët me pajtimin e të gjithëve, atëherë u thuhet
atyre: Çfarë thuani për shpirtrat e shumë të sinqertëve, a janë në Xhennet apo jo?
Nëse thonë: Ata janë në Xhennet, e nuk mund të thonë përveçse këtë, atëherë u bë e
vërtetë se ato citate nuk i veçojnë vetëm shpirtrat e shehidëve. Por nëse thonë: Nuk
janë në Xhennet, atëherë obligohen të thonë se shpirtrat e zotrinjëve të Sahabëve
(r.a.) si Ebu Bekr Es-Siddikut, Ubejj Ibn Ka’bit, Abdullah Ibn Mes’udit, Ebud-
Derdait, Hudhejfetu Ibnul-Jemanit dhe të ngjashëm me ta, All-llahu qoftë i kënaqur
me ta, nuk janë në Xhennet, derisa shpirtrat e shehidëve të kohës sonë janë në
Xhennet dhe nuk ka dyshim se kjo është e pavërtetë.
Nëse thuhet: Poqëse kjo dispozitë i veçon shehidët, atëherë çfarë obligon
përmendjen e tyre të veçantë në këto citate? Them: Tërheqje e vëmendjes për vlerën
e rënies shehid dhe pozitën e lartë të tyre, dhe se kjo është e garantuar për ta, prandaj
ata patjetër kanë pjesën më të plotë në këtë. Pjesa e tyre e begatisë në jetën e
Berzahut është më e plotë se e atyre që kanë vdekur në shtretërit e tyre edhe pse i
vdekuri në shtrat mund të jetë me pozitë më të lartë se ata, sepse ai ka një begati të
veçantë në të cilën nuk e shoqëron ai që është nën të.
Këtë e argumenton ajo se All-llahu i madhëruar i vendosi shpirtrat e shehidëve në
brendësinë e disa shpendëve të gjelbër meqë ata shpenzuan shpirtrat e tyre për All-
llahun derisa e shkatërruan atë armiqët e tij, kështu që ua kompenzoi ata trupa me
trupa më të mirë se ata në jetën e Berzahut në të cilët do të mbesin deri në Ditën e
Kijametit. Begatia e tyre përmes atyre trupave është më e plotë se sa begatia e
shpirtrave të zhveshur, e për këtë arësye shpirti i besimtarit është në pamjen e një
shpendi apo si shpend kurse shpirti i shehidit në brendësinë e shpendëve, prandaj
vështro shprehjen e dy haditheve sepse ai (s.a.v.s.) tha: Shpirti i besimtarit është si
një shpend, e kjo përfshinë shehidin dhe të tjerët, pastaj e veçoi shehidin duke
thënë: Shpirtrat e tyre janë në brendësi të disa shpendëve, e është e ditur se nëse
ata janë në brendësi të disa shpendëve janë shpendë, paqja e mëshira e All-llahut
qoftë me atë që fjalët e tij vërtetojnë njëra-tjetrën dhe argumentojnë se ato janë të
vërteta nga All-llahu i madhëruar. Ky bashkim është më i mirë se bashkimi që bëri
Ebu Omeri dhe i dha përparësi transmetimit të atij që tha se shpirtrat e tyre janë si
shpendë të gjelbër, mirëpo të dy transmetimet janë të vërteta dhe të sakta dhe se ata
janë si shpendë të gjelbër dhe në brendësinë e disa shpendëve të gjelbër.
KAPITULL
Sa i përket thënies së Muxhahidit: Ata nuk janë në Xhennet por ushqehen nga frytet
e tij dhe nuhatin aromën e tij, ai për këtë mund të ketë marrë argument transmetimin
e imam Ahmedit në Musnedin 176 e tij nga Ibn Is’haku nga Asim Ibn Omer Ibn
Mahmud Ibn Lubejdi nga Ibn Abbasi (r.a.) i cili tha: I Dërguari i All-llahut (s.a.v.s.)
tha: “Shehidët janë në ballë të një lumi në derë të Xhennetit në një kube të
gjelbër dhe u sillet atyre ushqimi nga Xhenneti mëngjes e mbrëmje”.
Kjo nuk mohon ekzistencën e tyre në Xhennet sepse ai lum është prej Xhenneti dhe
ushqimi i tyre u sillet prej Xhenneti, ata janë në Xhennet edhe pse nuk kanë kaluar
në pozitat e tyre aty. Muxhahidi mohoi hyrjen e plotë nga çdo aspekt derisa shprehja
është e mangët që të përfshijë këtë dallim dhe shprehja më e plotë e argumentimi më
i qëllimtë është shprehja e të Dërguarit të All-llahut (s.a.v.s.), pastaj e Sahabëve të tij
(r.a.). Prandaj, sa herë që ngritesh lartë do të shohësh shërimin, udhëzimin dhe
dritën, e sa herë që zbret poshtë do të shohësh hutinë, akuzimin dhe thënien pa
dituri.
176
I saktë. E transmetoi Ahmedi në “El-Musned” (1/266), Hakimi në “El-Mustedrek” (2/74), Taberani në
“El-Kebir” (10/405) dhe e përmendi El-Hejthemiu në “Mexhmeuz-Zevaid” (5/294, 298) dhe
transmetuesit janë të besueshëm.